Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të Kosovës.

Numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, në emër të organizatave jo-qeveritare numri është 109, ndërsa dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë.

Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër i mediave vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues.

Sipas KQZ-së funksionalizimi i kontejnerëve që do të shërbejnë si qendra të votimit do të marrë kohë deri të shtunën.

Kryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se dje ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve dhe sot ato do të dërgohen në depo qendrore të KQZ-së.

Ai ka thënë se për votim përmes postës kanë pranuar vetëm një aplikim nga Gjermania, por që deri sot nuk është dërguar ndonjë zarf me fletëvotim nga ky votues.

“KQZ do të dërgojë ekipe për monitorimin e zgjedhjeve në katër komuna dhe kjo sigurisht që do të bëhet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme do të miratohet përbërja e ekipeve të cilat do t’i monitorojnë zgjedhjet në katër komunat. Në lidhje me shtypjen e vendvotimeve pra SKQZ e ka mbikëqyr procesin e shtypjes dhe printimin e fletëvotimeve që është bërë në Pejë më datën 17 prill, ka filluar procesi i shtypjes së fletëvotimit dhe broshurave dhe ka përfunduar me datën 19 prill pra ditën e djeshme ka përfunduar edhe shtypja e fletëvotimeve. Pas shtypjes ka përfunduar procesi i paketimit dhe pritet të përfundoj gjatë ditës së sotme kur do të bëhet edhe transportimi në depon qendrore të KQZ-së“, u shpreh ai.

Sipas Ahmetajt, përveç një tubimi politik nga Lëvizja Vetëvendosje raportet e KKZ-ve dhe Policisë së Kosovës tregojnë se nuk janë mbajtur tubime tjera.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi është interesuar të dijë nëse janë vendosur qendrat alternative për votim në komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.

“Qendrat alternative ku do të vendosen kontejnerët a janë dërguar nëse jo si e keni paraparë dërgimin dhe kush do t’i dërgoj kontejnerët si qendra alternative”, pyeti Gashi.

Ndërsa, kryetari i Sekretariatit të KQZ-së ka deklaruar se aktualisht ndodhen në procesin e rregullimit të hapësirave dhe deri tek funksionalizimi i këtyre qendrave do të marrë kohë deri ditën e shtunë.

Ai ka thënë se nga Ministria e Punëve të Brendshme janë mbështetur jo vetëm për sigurimin e kontejnerëve, por edhe për rregullimin e vendndodhjes.

“Sa i përket funksionalizimit të qendrave të votimit ky proces është në proces të rregullimit të hapësirave se ku do të vendosen qendrat e votimit dhe është në koordinim edhe me Policinë e Kosovës dhe ministrinë e Punëve të Brendshme. Vendosja e kontejnerëve në qendra në nuk mund të bëhet përnjëherësh sepse janë 26 kontejnerë të cilët duhet të vendosen edhe për shkak të rrethanave dhe koordinimit të Policisë e Kosovës kemi shkuar gradualisht t’i vendosim komunë për komunë në mënyrë që të jenë funksional të kenë hapësirë e mjaftueshme dhe statik të vendosur dhe pastaj shkojmë për secilin kontejnerë se është vendosur sipas parametrave dhe kërkesave që KQZ kërkon…është proces që nuk mund të kryhet brenda ditës por do të na merr kohë deri të shtunën qoftë në vendosjen e tyre qoftë në sistemin e tyre dhe me shenjëzimin e tyre dhe informatave të tjera”, tha ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se rreth 360 është numri i vëzhguesve për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës.

“Gjithsej kanë aplikuar 37 organizata vëzhguese duke përfshirë subjektet politike, përfaqësues të vendeve të huaj në Kosovë, shtëpi mediatike dhe OJQ…. Zyra konstaton se 6 OJQ nuk përmbushin kushtet ose kriteret ligjore për tu akredituar si vëzhguese për shkak se nuk janë të specializuara në zgjedhjeve dhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut…Në total do të jenë 31 organizata që do të marrin pjesë në procesin e vëzhgimit me gjithsej 357 vëzhgues”, tha ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar edhe dizajni i vulës së fletëvotimit për zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

KQZ ka miratuar 49 komisionerë në Leposaviç, 22 në Zubin Potok 22, në Zveqan, 28 komisionerë, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 63 komisionerë.

Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potokut dhe Leposaviç si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviç.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb, ndërsa nuk merr pjesë Lista Serbe.

Qytetarët me të drejtë vote në komunat veriore ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të votojnë në 19 qendra të votimit, prej tyre 13 do të jenë alternative.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA