Sot në Shkup, u shënua fillimi i operacionit të misionit të Agjencisë Evropiane për Rojen Kufitare dhe Bregdetare, “Frontex”, në Maqedoninë e Veriut.
Misioni i përbashkët i kontrollit të kufirit i mbi 100 oficerëve të Agjencisë Evropiane në bashkëpinim me policinë maqedonase do të nis punën në kufirin me Greqinë për të kontrolluar dhe frenuar migracionin e paligjshëm, kryesisht të refugjatëve, të cilët ikin nga vendet e tyre të Lindjes së Mesme dhe synojnë të strehohen në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh se prania e Frontex-it do të thotë siguri e kufijve, tërësisë tokësore dhe sovranitetit të vendit të tij; se garanton sigurinë nga rreziqet dhe lëvizjet e migrantëve dhe përballjen me kriminalitetin ndërkombëtar.
Komisionerja evropiane e Punëve të Brendshme, Ylva Johansson duke folur përmes video-konferencës, theksoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut në ruajtjen dhe menaxhimin efikas të kufijve.
“Autoritetet iu bënë ballë sfidave duke ruajtur vlerat e përbashkëta dhe duke bërë sigurimin e kufjve të shtetit në përputhje me dinjitetin e atyre të cilët tentojnë t’i kalojnë ato”, u shpreh zyrtarja evropiane.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Frontex-it, Hans Lajtens tha se Agjencia do të punojë me Maqedoninë e Veriut për ruajtjen “e qytetarëve tanë dhe për sigurinë e të gjithë rajonit”.
Autoritetet maqedonase e nënshkruan Marrëveshjen me Frontex-in para gjashtë muajsh, ndërsa parlamenti i vendit e ratifikoi atë në muajin shkurt të këtij viti. Autoritetet në Shkup e çmojnë lart marrëveshjen me Frontex-in, që paraqet dokumentin e parë të nënshkruar me Bashkimin Evropian, dhe që sipas Shkupit, konfirmon identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Aktivitetet e Frontex-it parashikohet të zhvillohen deri më 24 janar të vitit të ardhshëm, por pritet të vazhdojnë edhe pas kësaj date. Frontex do të shtrihet më pas edhe në kufijtë e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe Serbinë.
Mijëra refugjatë nga zonat e luftës dhe jo vetëm, kanë shfrytëzuaar atë që njihet si “Rruga ballkanike” për të arritur tek vendet e pasura të Bashkimit Evropian, shpesh duke u paguar trafikantëve mijëra euro për t’i kaluar kufijtë pa dokumente udhëtimi.
Top Channel