Shembet parkimi 4 katësh, viktima në qendër të Manhatenit!

19/04/2023 09:17

Shembja e një parkimi 4 katësh në qendër të Manhatenit në Nju Jork i kushtoi jetën një personi, ndërsa pesë të tjerë mbetën të plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën financiare të qytetit. I pari, nga sa raporti rrjeti televiziv CBS, u shemb kati i dytë i parkingut. Njerëzit në zonë janë të shokuar.

 “Nuk po e marr dot veten. Banoj ngjitur, dhe më shembjen e parkimit u rrëzua edhe një pjesë e murit tim. Dhoma m`u mbush me dhe e tulla”, u shpreh një banor, Sandy Imhoff.

Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut pohoi se operacioni i shpëtimit ka qenë “jashtëzakonisht i rrezikshëm” për zjarrfikësit, sepse struktura ishte tejet e paqëndrueshme.

“Punonjësit tanë ishin brenda godinës duke kërkuar për të mbijetuar, e ndërkohë, ndërtesa po shembej. Fatmirësisht, u larguan në kohë”, thanë drejtues të tij. Kryebashkiaku Eric Adams ia faturoi teknologjisë së re mundësinë për një ndërhyrje të shpejte, duke thënë se ajo luajti një rol jetik në përgjigjen emergjente.

“Patëm një qen robotik që arriti të hyjë në ndërtesë fillimisht e kjo na ndihmoi shumë”, u shpreh ai. Shkaku i shembjes nuk dihet ende dhe autoritetet po verifikojnë edhe ndërtesat ngjitur për dëme të mundshme.

 

Top Channel