Pretendime të rreme për zgjedhjet, Fox News i paguan 800 milionë USD kompanisë së votimit

19/04/2023 11:32

Pretendimet e tij për manipulime në zgjedhjet presidenciale të 2020-tës, rrjeti televiziv Fox News nuk ka mundur t`i provojë dot.

Për këtë arsye u tentua dhe u arrit një marrëveshjeje prej 787.5 milionë dollarëve me kompaninë Sistemet e Votimit Dominion, e cila ngriti padi kundër tij. Falë marrëveshjes, u shmang njëri prej gjyqeve të profilit më të lartë për shpifje. Dominion e akuzoi Fox News për dëmtim të reputacionit, disa javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke thënë se kishte përhapur pretendime të rreme sipas të cilave makinat e votimit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në favor të demokratit Joe Biden duke shkaktuar humbjen e republikanit Donald Trump.

Fillimisht, Dominion qe shprehur se dëmet e pësuara kapnin shifrën e 1.6 miliard dollarëve. Marrëveshja është arritur në minutën e fundit, pasi gjyqi ishte planifikuar të niste të martën. Fox deklaroi se arritja e marrëveshjes reflekton përkushtimin që ka ky rrjet televiziv, për “standardet më të larta të gazetarisë”. Dominion është ende në proces gjyqësor kundër dy rrjeteve tjera konservatore në Shtetet e Bashkuara, OAN dhe Newsmax.

Kjo kompani ka paditur edhe aleatët e Trumpit, si, Rudy Giuliani, Sidney Powell dhe Mike Lindell.

Top Channel