Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Muzeun Arkeologjik të Durrësit të mbyllur e në rikonstruksion, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Megjithatë Qendra Muzeore e Durrësit ka zgjedhur këtë ditë për të qenë pranë qytetarëve dhe të rinjve. Në ambientet e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” u çel ekspozita “Muzeu jashtë Muzeut”, që sjell informacion dhe artefakte të zgjedhura nga koleksionet muzeale.
Në këtë ditë, Këshilli ndërkombëtar i Monumenteve ka zgjedhur si temë “Ndryshimet e Trashëgimisë” për të ndërgjegjësuar komunitetet për rrezikun që i kanoset objekteve të trashëgimisë kulturore nga agresioni i faktorëve atmosferikë, kohës, apo dhe ndërhyrjeve të paligjshme në to.
Gjatë ekspozitës që do të zhvendoset edhe në shkolla e qytete të tjera specialistët theksuan nevojën për njohjen, mbrojtjen dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore që duhet të jetë në vëmendjen e të gjithëve, për vlerat unikale që mbart për historinë dhe zhvillimin e komuniteteve të lidhura me të.
Top Channel