Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, refuzohen si provë disa deklarime të dëshmitarit të prokurorisë

17/04/2023 11:30

Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ka miratuar një mocion të mbrojtjes së Rexhep Selimit lidhur me përjashtimin e disa provave të cilat janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve që paraqitën në aktakuzë.

Sipas trupit gjykues pranueshmëria e këtyre provave do të mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

Në hapjen e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitares së mbrojtur, e cila mban kodin W04474. Ndërsa më pas do të dëgjohet dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) i cili mban W02652.

Për këtë të fundit, mbrojtja e Rexhep Selimit, më 6 prill, kishte dorëzuar kërkesën për përjashtimin e dëshmisë për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë. Kjo kërkesë kishte marrë edhe mbështetjen e mbrojtjes së Thaçit dhe të Krasniqit.

“Mbrojtja e Selimit kërkon që të përjashtohet dëshmia e dëshmitarit W02652 për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë. Mbrojtja e Selimit mendon që incidenti nuk është përkatës dhe vlera provuese zhbëhet nga efekti cenues që ka. Mbrojta e Selimit më tej parashtron se trupi gjykues nuk duhet të pranojë si prova, fillimisht të vlerësohet rëndësia që ka në një fazë të mëvonshme pasi kjo praktikë është konsumuese dhe çorientuese”, ka thënë kryetari i turpit gjykues.

Nga ZPS e kanë kundërshtuar këtë mocion, përmes një parashtrimit të dorëzuar më 12 prill.

Sa i takon incidentit të dytë, siç përshkruhet në paragrafin 16 të parashtrimit F1438 mbrojtja parashtron se kjo dëshmi nuk ka përputhshmëri dhe nuk duhet të merret për bazë. Mbrojtja e Selimit më tej argumenton se dëshmia është vetëm dytësore, vjen nga burime të pabesueshme dhe duhet parë me shumë kujdes. Së fundmi në paragrafin 23 të parashtrimit F1438 mbrojtja e Selimit kundërshton pranimin e dëshmisë sa u takon dy incidenteve të tjera të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës së aktakuzës. ZPS kundërshton mocionin, argumenton se dëshmia është e pranueshëm sipas rregullës 137 dhe 138 duke marrë parasysh se dëshmia është relevante apo autentike dhe ka vlerë provuese dhe nuk zhbëhet nga efekti cenues”, ka thënë kryegjykatësi Smith.

Trupi gjykues ka rikujtuar se pala që dorëzon materiale apo paraqet prova duhet të demonstrojë se faktet që kërkon të vërtetojë janë përkatëse për çështjen.

“Trupi gjykues vëren se ZPS pretendon në paragrafin 32 të aktakuzës, i akuzuari dhe anëtarët e tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale ndanin një qëllim të përbashkët për të fituar, ushtruar, kontroll në të gjithë Kosovën, ndër të tjera duke ushtruar dhunë ndaj kundërshtareve. Paragrafi 59 i aktakuzës shpjegon aktet e renditura në aktakuzë që tregojnë një fushatë të gjerë të sulmeve kundër kundërshtarëve në të gjithë Kosovën, para, gjatë dhe pas periudhës së aktakuzës. ZPS nuk tregon primafacie relevancën e këtyre incidenteve të cilat i kundërshton mbrojtja e Selimit, këto nuk pretendohen të kenë qenë pjesë e nkp-së të cilat mbulojnë vetëm periudhën e aktakzuës dhe as sulmet e pretenduara që u atribuohen të akuzuarve. Për më tepër asnjë nga këto incidente nuk pretendojnë të kenë qenë pjesë apo të japin prova apo të dëshmojnë që ka pasur sulm sistematik dhe të zgjeruar kundër kundërshtarëve apo të jenë të lidhura materialisht me konfliktin e armatosur i cili paraqitet në aktakuzë”, ka thënë Smith.

Përmes urdhrit gojor, kryetari i trupit gjykues ka miratuar mocionin e mbrojtjes së Selimit duke thënë se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

Duket se ka probleme sa i takon mbështetshmërisë, besueshmërisë dhe vlerës provuese të dëshmisë së pritshme të të akuzuarit dhe kjo mund të përfshijë incidentin e parë dhe nuk ka asnjë tregues që i akuzuari është i përfshirë në incidentin e dytë dhe as nuk ka informacion të verifikueshëm që UÇK ka qenë e përfshirë në këto incidente. Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve dhe ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit, nuk lejohet ZPS të bëjë pyetje për incidentet e përshkuara në paragrafin 31623 të materialit. Sa i takon dëshmitarit Ë02652 duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi palët duhet të dorëzojnë versionet e redaktuara bashkë me parashtrimet e tyre deri të hënën 24 prill 2023”, ka thënë kryetari i turpit gjykues derisa e ka mbyllur urdhrin me gojë.

Pas këtij urdhri, në seancë private po vazhdon dëgjimi i dëshmitares së parë të ZPS-së, pas së cilës do të vijohet me dëshmitarin tjetër të mbrojtur i cili mban kodin W02652.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA