Gjermania “hyn” mes Tajvanit e Pekinit, Baerbock në Kinë: Ulni tensionet!

14/04/2023 08:28

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock e përdori vizitën në qytetin kinez Tianjin për të përcjellë një mesazh edhe për Tajvanin.

Situata është më e përflakur se kurrë sot mes ishullit të vetëqeverisurit dhe Pekinit, e kryediplomatja e Gjermanisë u shpreh se këto tensione, nuk mund ta lëne indifferent vendin e saj.

 “70 për qind e furnizimeve me gjysmëpërçues kalojnë përmes ngushticës së Tajvanit. Kjo do të thotë se qasja e lirë atje është edhe në interesat tona ekonomike. Për këtë arsye, as Gjermania e as BE-ja nuk mund të qëndrojnë indiferente. Një përshkallëzim ushtarak midis Kinës dhe Tajvanit do të ishte një “skenar i rastit më të keq” në mbarë botën, por veçanërisht për një komb industrial dhe eksportues si Gjermania”, ka thënë Baerbock.

Politikania e Të Gjelbërve reagoi edhe ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili, pas një vizite në Kinë, tha duke pasur parasysh SHBA se Evropa nuk duhet të jetë “pasuese” në çështjen e Tajvanit dhe nuk duhet të bëhet “vasale”. Kjo shkaktoi debate të konsiderueshme në botën perëndimore. Që nga ndarja politike midis Republikës Popullore të Kinës dhe Tajvanit në vitin 1949, Pekini e ka konsideruar ishullin një provincë të shkëputur dhe nuk ka përjashtuar një pushtim ushtarak.

Këto ditë ushtria  kineze ngjalli frikë më shumë se kurrë me rrethimin e Tajvanit në një manovër të madhe tre-ditore. Lidhur me Macron-in, ndërkohë Baerbock kundërshtoi përshtypjen se BE është e ndarë në politikën e Kinës. Fakti që Macroni vizitoi Republikën Popullore së bashku me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, ishte sipas saj, një sinjal i rëndësishëm.

Top Channel