Era 220 km/h, cikloni më i fuqishëm në dy dekada godet Australinë!

14/04/2023 12:33

Cikloni më i fuqishëm që godet Australinë në gati dy dekada u përplas pas mesnatës në perëndim të vendit, me erëra që thyen rekordet e mëparshme të vendosura po në të njëjtin vend.

E llogaritur si stuhi e kategorisë së pestë, Ilsa preku tokën mes De Gray dhe Pardoo Roadhouse, sipas Byrosë Australiane të Meteorologjisë. Që nga ai moment, cikloni u dobësua, por përpara se të godiste kontinentin, ai kaloi me shpejtësi mbi ishullin e vogël të pabanuar Bedout, ku shpejtësia e erës arriti 218 km/h. Rekordi i mëparshëm ishte 194 km/h  dhe u vendos në kohën kur cikloni George goditi vendin në vitin 2007.

Dëme të mëdha raportohen në Pardoo Roadhouse, një destinacion popullor për udhëtarët përgjatë bregdetit, e cila ishte në rrugën e stuhisë. Cikloni tropikal mbolli frikë edhe në Port Hedland, qendra më e madhe e eksportit të hekurit në botë. Kryebashkiaku i qytetit, Peter Carter e përshkroi zhurmën e erës atje si “të frikshme e të pazakontë”.

“Ishte sikur të të kalonte pranë me shpejtësi një tren mallrash”, u shpreh ai. Edhe pse ciklonet nuk janë një fenomen i pazakontë për këto rajone të Australisë, vendasit thonë se Ilsa ishte veçanërisht e egër si stuhi. Autoritetet presin që ajo të dobësohet përgjatë ditës së shtunë, por sërish i bënë thirrje banorëve për kujdes.

Top Channel