Ish-kryeministri Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit të Kosovës është shprehur se zgjidhja e vetme për situatën në veri të Kosovës është shtyrja e zgjedhjeve lokale të 23 prillit.
Ai i bën thirrje qeverisë dhe presidencës që ta marrin me seriozitet situatën në veri dhe të marrin një vendim të guximshëm.
“Ne duhet të kemi guxim politik t’i trajtojmë temat dhe të mos fshihemi nga temat qe vendi i ka përpara. Nuk mendoj që do të fitojë shteti nëse heshtim nga gjendja në veriun e Kosovës. Procesi për të mbajtur zgjedhjet tashmë në veri nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje e dimë agjendën e Serbisë dhe të Listës Serbe. Por a e dimë ne dhe qeveria rrugën deri te suksesi?
Me sa shoh unë me informacionet që kam, procesi zgjedhor nuk na qon te suksesi. Duhet ti bëjmë analizë situatës, a është në interesin tonë të arrijmë te kjo pikë, çfarë do të fitojmë? Nuk besoj që duhet ta heshtim këtë gjendje, më mirë ta pranojmë një çerek humbje sot, se një humbje të plotë nesër. I bëj thirrje qeverisë dhe presidentes ta marrin me seriozitet situatën në veri dhe ta marrin një vendim të guximshëm. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë te shtyrja e zgjedhjeve”, është shprehur Haradinaj.
Top Channel