Për shumë bujq në pranverë nis puna për përgatitjen e kulturave që do të kultivojnë, por në Shqipëri në këto muaj nis edhe puna për kultivimin e kanabisit.

Farishte, sera, dhe tunele janë kontrolluar nga policia dhe janë gjetur bimë kanabisi në kubikë duke u përgatitur për mbjellje.

Vetëm gjatë kësaj të enjte u zhvilluan dy operacione në Roskovec të Fierit dhe në Thumanë të krujës ku policia zbuloi bimë narkotike kanabis satriva në fazën fillestare.  Në Roskovec në fshatin Ngjeqar policia arrestoi Shaban Refitajn dhe asgjesoi rreth 500  fidanë në kubik. Një ditë më parë në fshatin kreshpan pranë një banese u asgjesuan 182 bimë kanabisi dhe u arrestua pronarja e banesës.

Ndërsa në Thumanë pranë fshatit Shkoza e Bardhë, policia zbuloi 2 sera ku ishin kultivuar rreth 610 fidanë kanabis. Për rastin u shpallën në kërkim autorët e dyshuar Elez e Dashamir Rexhepi, babë e bir, si dhe u procedua penalizht kryeplaku i fshatit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Ndërsa një ditë më parë në Shkodër u arrestua Agim Bekaj, i cili tentoi të shiste me qëllim kultivimin 300 fara kanabisi.  Vetëm gjatë javëve të fundit Policia e Shtetit ka kryer 5 operacione të mëdha antikanabis.

Ku janë zbuluar 31 sera në Shkodër, 1 vilë në Tiranë, 2 ambiente dhe tunele në Krujë dhe janë sekuestruar më shumë se 10 mijë fidanë, 658 bimë kanabisi, 1153 fara kanabisi, si dhe qindra pajisje elektrike që mundësonin kultivimin në ambiente të mbyllura.

Top Channel