Brenda kampit të stërvitjes në Mbretërinë e Bashkuar ku ukrainasit mësohen se si të luftojnë

12/04/2023 17:53

BBC ka arritur të hyjë brenda kampit të stërvitjes në Mbretërinë e Bashkuar ku vullnetarët ukrainas mësohen se si të luftojnë.

“Është, emocionalisht, shumë e vështirë. Unë qaj sa herë që ata largohen. Unë qaj sa herë që hyjnë në autobus”, tha gazetarja Stacey Dooley.

32-vjeçarja Aliia përkthen urdhrat e trajnerëve ushtarakë britanikë teksa ata përgatisin vullnetarët ukrainas për luftime kundër trupave ruse.

Mbi pesë javë në fshat në veri të Anglisë, burra ukrainas – të cilët vetëm disa ditë më parë bënin jetë normale si luleshitës, saldatorë apo argjendarë, tashmë mësojnë se si të vrasin dhe të mbijetojnë në fushën e betejës.

Kursi bazohet në trajnimin e këmbësorisë që kalon çdo ushtar britanik kur regjistrohet për herë të parë.

Në të, vullnetarët ukrainas flenë jashtë në gropa të ftohta dhe të lagështa, mësojnë taktikat ushtarake dhe ndihmën e parë dhe marrin trajnime për armë.

Ata përgatiten mendërisht për të luftuar, madje edhe për të vdekur.

Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 dhe u përshkallëzua pas pushtimit në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë, sipasdokumenteve të zbuluara së fundmi, se midis 189,500 deri 223,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në konflikt. Shifra ekuivalente për humbjet e Ukrainës është midis 124,500 dhe 131,000.

Dokumentari i ri i BBC Three, nga Stacey Dooley “Ready For War?” shikon nga afër programin e trajnimit Britani-Ukrainë, i njohur si Operacioni Interflex.

Gazetarja Stacey, e cila ishte në muajin e tetë të shtatzënisë gjatë xhirimeve tha se ndjekja e burrave pa përvojë paraprake luftarake ishte “sikur të dashurit ose vëllait tuaj t’i kërkohet të luftojë ushtrinë ruse në vijën e parë. Është një detyrë e paimagjinueshme.”

Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Ukrainës mbështetje ushtarake, humanitare dhe ekonomike me vlerë më shumë se 4 miliardë paund që nga pushtimi .

Dhe pavarësisht shqetësimeve nga një shef ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar se dërgimi i tankeve dhe armëve të artilerisë do ta lërë ushtrinë britanike më të dobët, një studim i shkurtit 2023 nga YouGov sugjeron se shumica e publikut britanik vazhdon të mbështesë Ukrainën.

Një 30 vjeçar është një nga ukrainasit që kaloi stërvitjen ushtarake britanike. Ai ishte duke punuar në Belgjikë si saldator kur trupat ruse pushtuan, por më pas u kthye në Ukrainë kundër dëshirës së prindërve të tij.

Ai kujton se kishte parë mijëra gra dhe fëmijë që përpiqeshin të arratiseshin nga vendi. “Kam parë njerëz në kufi. Pothuajse të gjitha ishin vajza, zonja dhe fëmijë. Ishin rreth 5000 njerëz. Kush mund t’i mbrojë ata, nëse jo ne, kush?”

“Nuk e di kur do të përfundojë lufta, por jam i sigurt se do të fitojmë. Është vetëm çështje kohe dhe pyetje se sa njerëz do të vdesin. Shpresoj, sigurisht që do të mbijetoni, por shanset nuk janë aq të mëdha, kjo është e vërteta. Nuk është e vështirë, nëse e dini se për çfarë po luftoni“, shtoi ai.

Top Channel