Talebanët ndaluan gratë të punojnë, OKB udhëzon stafin të qëndrojë në shtëpi në shenjë proteste

11/04/2023 17:05

Kombet e Bashkuara kanë udhëzuar të gjithë personelin e saj në Afganistan që të qëndrojnë larg zyrave të saj në vend, pasi talebanët ndaluan gratë afgane të punojnë me organizatën.

Personeli kombëtar i OKB-së – gra dhe burra – janë udhëzuar të mos raportojnë në zyrat e OKB-së, me përjashtime të kufizuara dhe të kalibruara të bëra për detyra kritike”, tha organizata në një deklaratë.

Kjo vjen pasi burrat afganë që punonin për OKB-në në Kabul qëndruan në shtëpi javën e kaluar në solidaritet me koleget e tyre femra.

Talebanët ndaluan gratë afgane të punonin për organizatat joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kjo u bashkohet një sërë masash të tjera kundër të drejtave dhe lirive të grave, përfshirë jetën publike dhe të përditshme në Afganistan.

Organizata do të vlerësojë qëllimin, parametrat dhe pasojat e ndalimit dhe të ndalojë aktivitetiet ku pengohen gratë, thuhet në deklaratë, duke shtuar se çështja do të jetë nën shqyrtim të vazhdueshëm.

Disa punonjëse femra të OKB-së në vend kishin përjetuar tashmë kufizime në lëvizjet e tyre që kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021, duke përfshirë ngacmimin dhe ndalimin.

“Jetët e grave afgane janë në rrezik,” tha Ramiz Alakbarov, Zëvendës Përfaqësuesi Special i OKB-së, Rezident dhe Koordinator Humanitar për Afganistanin.

“Në historinë e Kombeve të Bashkuara, asnjë regjim tjetër nuk është përpjekur ndonjëherë t’i ndalojë gratë të punojnë për Organizatën vetëm sepse janë gra. Ky vendim përfaqëson një sulm kundër grave, parimeve themelore të OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, tha OKB.

Top Channel