Ukraina do të nisë një koalicion ndërkombëtar për kthimin e fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia, në shtëpi

10/04/2023 15:20

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk deklaron se qeveria ukrainase do të formojë një koalicion ndërkombëtar për kthimin e fëmijëve që u zhvendosën me forcë në Rusi.

Sipas Vereshchuk, koalicioni do të synojë “të ndëshkojë ata që janë fajtorë për krime kundër fëmijëve ukrainas”.

Sikurse raportuam më herët, pala ukrainase ka pretendime se fëmijët ukrainas në Rusi po ndëshkohen fizikisht për refuzimin e këndimit të himnit kombëtar rus.

“Ky koalicion tashmë është mbështetur nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki“- tha Vereshchuk, duke shtuar se grupi do të ketë nevojë për një ndërmjetës dhe ai “mund të jetë kushdo: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Fondi Ndërkombëtar i Emergjencës për Fëmijët i OKB-së (UNICEF).”

Në këtë rast, ndihma e komunitetit botëror është kritike për ne… Shpresoj që një platformë e tillë të fillojë të funksionojë së shpejti”, shtoi ajo.

Zonja Vereshchuk tha se rreth 4,396 jetimë ukrainas ishin tani në Rusi kundër vullnetit të tyre.

Mendohet se rreth 19,000 fëmijë janë nxjerrë me forcë nga Ukraina që nga fillimi i luftës me Rusinë në shkurt 2022.

Top Channel