Arsenali nuk mori më shumë se një pikë në “Anfield”, duke barazuar 2-2 në përballjen e javës së 30-të ndaj Liverpoolit.
Pavarësisht se Gunners ishin në avantazhin e dy golave pas gjysmë ore lojë. Skuadra e Mikel Arteta kryeson kampionatin me 73 pikë, ndjekur nga Manchester City (67).
Por skuadra e Pep Guardiolës ka luajtur një takim më pak. Një panoramë e tillë premton një garë të ethshme në javët e mbetura. City ka mundësinë të ngushtojë diferencën e pikëve nëse fiton ndeshjen e prapambetur. Pas dy javësh, në xhiron e javës së 33-të, në “Etihad”, Arsenali do të ketë provën më të vështirë në këtë sezon.
Skuadra londineze synon të rikthehet te titulli pas 19 vitesh, por duhet t’i bëjë mirë llogaritë me një skuadër si Manchester City. Që në vitet e fundit ka dominuar në shumë drejtime futbollin anglez. “Topçinjtë” u ndalën pas 7 fitoresh radhazi. Para takimit me kampionët në fuqi do të ndeshet me West Ham dhe Southampton.
Në krahun tjetër, “Qytetarëve” do u duhet një impenjim i dyfishtë, pasi do të kenë dy takime me Bayern Munchen për Champions League. Një sfidë në kampionat me Leicester City dhe përballjen e FA Cup me Sheffield United. Në këtë prizëm, Arsenali duket më i favorizuar.
Megjithatë, në anën tjetër skuadra e Artetës në javët e mbetura krahas sfidës me City në transfertë, do të udhëtojë edhe në fushën e Newcastle. Një kundërshtar tepër i fortë, që është forca e tretë e kampionatit. Në ndeshjen e fazës së parë që u luajt në mesin e shkurtit, Manchester City fitoi 1-3 në shtëpinë e Arsenalit, duke treguar forcën ndaj kryesuesve./SuperSport
Top Channel