Erzeni ishte skuadra më simpatike e Superiores në dy fazat e para, duke qenë mes kryesuesve të kampionatit shqiptar. Tifozët nisën që të ëndërronin zonën europiane, referuar asaj që djemtë e Xhevahir Kapllanit dhanë në fushën e lojës.
Megjithatë me afrimin e fundit të sezonit, skuadra ka pësuar një rënie të dukshme nga vendet e para dhe gjendet pranë fundit të tabelës. Ndaj shkodranëve, Erzeni u mund 3-1. Nga Vllaznia te Vllaznia, shijakasit kanë arritur të marrin vetëm një fitore në ndeshjet e fundit, kundër Egnatias (2-1) në shtëpi.
Në përballjet e tjera kanë marrë 5 barazime dhe kanë pësuar 3 humbje. Aktualisht, të besuarit e Kapllanit ndodhen vetëm 3 pikë larg vendit të tetë, që është dhe zona e play-out. Dyshja Patrick Nonato dhe Amir Kahrimanovic kanë qenë përcaktues në këto 28 javë për shijakasit. Të dy së bashku kanë shënuar 17 gola, nga 30 që ka realizuar Erzenit në total.
Në këtë fazë të fundit, skuadra që u rikthye në elitën e futbollit shqiptar pas 20 vitesh, do të provojë të rigjejë ritmin e fillimit të kampionatit. Për të pretenduar të jetë në pjesën e sipërme të klasifikimit. Një objektiv i realizueshëm duke marrë në konsideratë se Egnatia e vendit të tretë është 4 pikë larg.
Top Channel