Poçaria njihet si “zanat burrash”, por për Jana Kukajn nuk është kështu, sepse për të nuk ka asgjë të pamundur. Prej disa vjetësh ajo i jep formë e jetë baltës së tokës së saj, në fshatin Krajen të Lezhës në Shqipëri.

Jana e pranon që përpunimi i baltës nisi si nevojë për të siguruar të ardhura për familjen e saj, por tashmë e ka kthyer në pasion dhe mezi pret çdo ditë “të përkëdhelë” baltën me duart e saj e të krijojë prej saj enë kuzhine, suvenirë, vazo lulesh e gjithçka tjetër.

Kur zgjidhja dhe pasioni vijnë nga balta

“Ndonjëherë nuk e kupton që zgjidhjen e ke krejt afër teje. E kujtoj që vrisnim mendjen çfarë të bënim për të përballuar situata të vështira ekonomike që i kalon kushdo dhe nuk e kishim menduar se zgjidhja ishte aty, sipër shtëpisë sonë, te dheu, te balta, te rrënjët tona”.

Nuk thonë kot se ‘balta është më e ëmbël se mjalta’ në vendin tënd. E kishim aty ‘lëndën e parë’ për të krijuar atë që sot është punishtja jonë, biznesi ynë modest. E sigurojmë afër shtëpisë dheun, bëjmë baltën, krijojmë me të çfarë mendojmë se kërkon tregu, apo edhe porosi të veçanta që na japin klientët tanë”, tregon 40-vjeçarja për Radio Evropa e Lirë.

Ajo është një grua kërkuese dhe tregon se si zanatin “ia ka vjedhur” bashkëshortit të saj. Ai bënte përpunimin, kurse ajo thotë se e ka ndihmuar me pjekjen e enëve.

“Gjithnjë më dukej shumë mister se si nga balta të dalin këto punime të mrekullueshme. Gjithnjë thosha si mundet nga toka (dheu) uji dhe zjarri të përfitosh atë produkt që e gjen në sofrat e malësorëve të zonës së Zadrimës. I kërkoja çdo ditë Vasilit (bashkëshortit) që një nga ata topat e baltës ta konsideronte të humbur, e vija në atë që njihet si “rrota e poçarit” dhe sigurisht në fillime përfundonte një copë balte pa formë”, tregon Jana duke shtuar se iu desh goxha kohë, porse nuk u dorëzua.

“Shumë kohë më vonë, ne kishim marrë disa porosi për enë balte dhe ishte afruar koha për t’i dorëzuar. Bashkëshorti pësoi një aksident të vogël dhe lëndoi krahun, kështu që nuk mund të punonte. Kam qenë në ankth derisa i dorëzova porositë dhe klientët mbetën të kënaqur”, thotë Jana me krenarinë e malësores që nuk dorëzohet kurrë.

Enët i zbukuron duke pikturuar motive tradicionale

Derisa përpunimin e baltës e mësoi nga bashkëshorti i saj, zbukurimin e enëve të baltës Jana thotë se e ka mësuar përmes një kursi që ka kryer në Shkodër.

Enët dhe suvenirët i pikturoj me motive dhe simbole të veshjeve të Zadrimës, me lulet, yjet, kryqet, format që i gjejmë edhe te xhubleta, jelekët, çorapet, sixhadet, por edhe me portretin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, simbolet kombëtare si shqiponja apo flamuri, kryesisht tek ibrikët e rakisë”, tregon ajo dhe thotë se ndonjëherë i duket e pabesueshme si ka arritur deri këtu.

Ajo e quan veten vajzë me fat dhe i vjen keq që ende në zonën ku jeton ekziston ai mentalitet sipas të cilit “vajza lind në shtëpi të huaj dhe shkon në shtëpinë e vet kur martohet”.

Pa diplomë, por me shumë këmbëngulje dhe pasion

Punimet e saj të mrekullojnë, por ajo nuk ka një diplomë në xhep.

Jana mbart mbi supe shumë prej pasojave të plagëve të shoqërisë shqiptare si emigrimi, pabarazia gjinore, mentaliteti patriarkal. Kur e pyet çfarë arsimimi ka, nuk e ka të lehtë të përgjigjet.

“Nuk jam e diplomuar, kam bërë vetëm 6 klasë shkollë. Isha e detyruar ta ndërprisja, sepse babai ishte në emigrim, nëna nuk ia dilte dot sepse ishte në punë për të na rritur ne dhe i duhej ndihmë për të përballuar punët në arat tona, për t’u kujdesur për bagëtitë. Pastaj 15 vjeçe u fejova dhe pas dy vitesh u martova. Por, kam pasur shumë fat, ndryshe nga shumë vajza në krahinën time, ku gruaja shpesh nuk mundet as të shprehë mendimin e saj dhe aq më pak të kërkojë të drejta”, vazhdon rrëfimin e saj Jana.

Ajo përmend përkrahjen nga ana e bashkëshortit duke e orientuar drejt disa kurseve kualifikuese, gjë që thotë se e ka ndihmuar në rrugën drejt suksesit që dikur vetëm e kishte ëndërruar.

“Duhet të ëndërrosh, të besosh tek ëndrra jote dhe të mos dorëzohesh”, shprehet ajo e lumtur që ia ka dalë të realizojë ëndrrën.

Jana i është shumë mirënjohëse një prifti italian, i cili si shumë të tjerë në fillim të viteve ’90, pas rënies së komunizmit, shkuan në Shqipëri dhe u vendosën në zonat me popullsi me shumicë katolike, në zona të thella dhe të varfra.

Ajo kujton përpjekjet e tij për t’i orientuar vajzat dhe gratë drejt artizanatit, për t’i nxitur të kërkojnë më shumë të drejta, të sigurojnë pavarësi ekonomike përmes punës si artizane. Duke parë përpjekjet dhe vullnetin e çiftit, prifti i mundësoi bashkëshortit të saj udhëtime në Itali për të perfeksionuar zanatin në përpunimin e baltës.

Turistë nga gjithë bota në punishte

Ajo punon prej 20 vjetësh me gjithë bashkëshortin e saj, kunatin dhe kunatën në punishten që është bërë e famshme në Zadrimë. Turistë të shumtë nga gjithë bota vijnë dhe e vizitojnë. Sipas saj, turistët e huaj janë të interesuar për suvenirët me motive kombëtare, por duan edhe të mësojnë se si krijohen enët nga balta.

“Shpesh kërkojnë të ulen te makineria e posaçme dhe të përpiqen të bëjnë vetë diçka të vogël. Sigurisht që, thjesht, bëhen me baltë nga koka te këmbët dhe nuk arrijnë të bëjnë asgjë, por kjo është përvoja e veçantë për ta dhe shumë e këndshme edhe për ne”.

“I tërheqin shumë motivet tona popullore, simbolet kombëtare me të cilat punojmë enët. Përjetimet e tyre më kanë bërë të kuptoj se sa pak e vlerësojmë ne atë që është e jona, baltën, natyrën, trashëgiminë tonë kulturore”.

Jana kujton se kur nisën punën në punishte ishte e vështirë të gjeje treg, sepse në atë kohë tregtarët ishin të orientuar nga mallra të importuara kryesisht nga Kina, ndërsa vitet e fundit punojnë kryesisht me porositë që marrin nga klientë brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa pjesën tjetër arrijnë ta shesin në Lezhë dhe në Tiranë.

Arkat e nënave rikthehen “në modë”

Një tjetër risi në punishten e Janës është edhe restaurimi i arkave të vjetra, në të cilat dikur gratë ruanin pajën e tyre, apo xhubletat që i kishin për raste të veçanta.

“I sjellin thuajse të shkatërruara, sepse kanë menduar që iku koha e tyre nuk kanë më vlerë dhe i kanë hedhur nëpër cepat e oborreve. Por, ato kanë qenë të bëra me dru të vërtetë jo imitime dhe për këtë arsye i kanë rezistuar kohës”, thotë Jana e cila pikturon arkat pasi i ka restauruar më parë bashkëshorti i saj.

“Unë i pikturoj, i zbukuroj, përpiqem t’i çoj sa më afër origjinalit me ato që më tregojnë banorët që i sjellin. Nuk po i ‘rikthejmë në jetë’ thjesht si trashëgimi e së shkuarës, por edhe i bëjmë funksionale. E bëj me shumë dëshirë këtë gjë, sepse më kujton nga vijmë ne. Në çdo shtëpi dikur ka pasur nga këto ‘arkat e nanës’ dhe tani po i bëjmë pjesë të mobilimit të shtëpive tona. Ku ka më mirë se diçka origjinale”, thotë Jana duke shpjeguar se në veri, këto mobilie janë quajtur arka, ndërsa në jug të Shqipërisë njihen me emrin sënduk.

Në zonën e Zadrimës shumë banorë i janë kthyer artizanatit si nevojë për të siguruar më shumë të ardhura për familjet e tyre, por edhe si dëshirë për të ruajtur dhe trashëguar traditën. Jana Kukaj është nënë e dy djemve, i madhi studion për pikturë, ndërsa i dyti është ende në ciklin 9-vjeçar dhe po ashtu ka pasion pikturën. Ajo thotë se dëshiron që edhe ata të ndjekin rrugën e prindërve të tyre.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA