Fshiheshin në furgonin me targa angleze/ Tetë pistoletat e kapura në portin e Durrësit, hetimet do të kryhen nga SPAK

10/04/2023 21:28

Hetimet për pistoletat e kapura në portin e Durrësit do të kryhen nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Dyshohet se armët e zbuluara pasditen e së hënës në portin detar të Durrësit do të transportoheshin në funksion të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal në Angli.

Rrezikshmëria që mbartin akte kriminale si trafiku ndërkombëtar i armëve, i mbetur në tentativë në këtë rast, si dhe zbulimi i aktivitetit të grupeve kriminale që veprojnë në Angli, do t’i transferojnë  hetimet për këtë rast në Tiranë.

Strukturat e posaçme pritet të hetojnë në lidhje me trafikimin e armëve mbetur në tentativë dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, duke nisur nga porositësit e mallit të ndaluar, blerësit, shitësit, transportuesit dhe për çfarë do të përdoreshin ato.

Edhe roli i transportuesit pritet të qartësohet më tej nga marrja në pyetje e shoferit të furgonit që është arrestuar nga policia.

Mësohet se në lidhje me ngjarjen është ndaluar Jetmir Koloshi, 35 vjeç me banim në Tiranë.

Ngarkesa e dyshimtë u konstatua fillimisht kur mjeti me targa angleze KS 15 NZN ka kaluar në skaner dhe pas sinjalizimit nga punonjësit e skanerit, policia në port ka ushtruar kontroll fizik në furgonin tip “Mercedes Benz”, ku në pjesën e bagazheve është konstatuar një tavolinë rreth 1 metër e gjysmë e gjatë e mbështjellë me letër transparente.

Në brendësi të tavolinës  ndodheshin të fshehura 8 pistoletat dhe municioni për to.

Policia e Durrësit nuk ka dalë ende me një deklaratë në lidhje me ngjarjen.

Top Channel