Kampi i restaurimit/ Gjirokastër, mblidhen studentët e Arkitekturës

09/04/2023 12:47

Në Gjirokastër këto ditë po mbahet një tjetër kamp restaurimi me pjesëmarrjen e rreth 30 studentëve të arkitekturës nga Shqipëria.

Kampi është pjesë e praktikës mësimore të arkitektëve të rinj por pritet të sjellë rezultate të rëndësishme sa i përket rilevimit të rreth 10 banesave monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë në rrezik shembjeje.

Lumja dhe grupi i saj i punës po kryejnë matje brenda banesës 250 vjeçare të familjes Reso në lagjen Dunavat.

Ky është një kontribut me përfitim të dyanshëm shpjegon profesori i restaurimit që udhëheq këtë grup sepse mundëson njohjen me elementë specifikë të traditës së ndërtimit duke u fokusuar tek muret, fasadat, portat dhe tek materialet e suvasë, drurit e gurit.Ndërsa pronarët e këtyre banesave mund të përfitojnë përveç planit edhe ide inovative sesi mund ti rivitalizojnë banesat.

E ndërsa qyteti i Gjirokastrës po përball një ritëm mjaft të lartë rrënimi i lidhur me banesat historike me shumë pronarë çdo kontribut sado i vogël është jetik sipas Drejtorisë Rajonale të monumenteve.

Kampi do të zgjasë rreth dy javë dhe do të realizojë projekte ndërhyrje të rëndësishme në disa banesa të përzgjedhura për nga stili dhe rëndësia e trashëgimisë kulturore njëherazi është duke ndërgjegjësuar banorët për ruajtjen e teknikave dhe materialeve origjinale.

Top Channel