207 mijë euro duhet t’i paguajë sipas Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë ish-kreu i UÇK-së Salih Mustafa, t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës.

Dhjetorin e vitit të kaluar, Mustafa mori nga kjo gjykatë dënimin me 26 vjet burg nën akuzën e veprave të cilat thuhet se janë kryer në vitin 1999, kur në Kosovë po zhvillohej luftë në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Aktpadia nënvizonte se Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të UCK-së. 8 janë viktimat që duhet dëmshpërblyer prej tij, të identifikuara në urdhrin e gjykatës Speciale. Tre prej tyre konsiderohen viktima të drejtpërdrejta pasi janë ndaluar në një qendër në Zllash, ku kanë pësuar dëmtime fizike dhe mendore nga keqtrajtimi.

Nga ana tjetër pretendohet se atyre u është shkaktuar edhe dëm material, pasi ai keqtrajtim u ka ndryshuar rrjedhën e jetës e u ka ndaluar zhvillimin e karrierës.

Dëmshpërblimi i caktuar për to ishte përkatësisht 80 mijë, 60 mijë dhe 30 mijë euro. Pesë të tjera cilësohen si viktima jo të drejtpërdrejta, dhe janë të afërm të një personi që ka ndërruar jetë prillin e vitit 1999, vdekja e të cilit sipas gjykatës, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të Mustafës si komandant i BIA-s”.

Në rastin e tyre, dëmshpërblimi është caktuar i ndarë: tre marrin nga 10 mijë euro, një pesë mijë dhe një dy mijë euro. Sipas kryegjykatëses Mappie Veldt-Foglia, të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli dhe janë djegur: Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre dhe se ka urdhëruar vartësit e tij të rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.

Mustafa nga ana e tij është deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA