Rama vijon takimet informuese për rritjen e pagës minimale: Mesatarja do të shkojë deri në 85 mijë lekë, punonjësit s’janë lodra e sipërmarrësve

05/04/2023 16:46

Kryeministri Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me punonjësit e një kompanie private, të cilët i ka informuar për rritjen e pagës minimale. 

Gjatë takimit Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme të deklarohet e gjithë paga e punonjësve dhe të mos ketë paga në të zezë, pasi kjo gjë ndihmon edhe në rritjen e pensioneve, të cilët burojnë nga sigurimet shoqërore.

Rama bëri me dije gjithashtu se paga mesatare në vazhdim do të jetë 85 mijë lekë, e barabartë me punonjësit e thjeshtë në Gjermani.

Takimet informuese mbi rritjen e pagës minimale, si dhe mbi reformën e rëndësishme që po ndërmerr qeveria  për ta bërë tregun më tërheqës dhe krahun e punës më të mirëpaguar kudo në vend, vijuan sot në kompaninë RHG Sh.p.k, e themeluar në vitin 2018 me 25 punonjës dhe që sot operon në sektorin e shërbimeve hoteliere me 233 të punësuar, ku Kryeministri Rama u takua me punonjës dhe drejtues të sipërmarrjes, e suksesshme në aplikimin e praktikave të qëndrueshme për rritjen e pagave.

Faleminderit për mikpritjen edhe faleminderit të gjithëve ju për praninë! Shpresoj që të na e dini për faleminderit që ju dhamë mundësinë të rrini ulur për këtë periudhe kohe sepse ne ua dimë për faleminderit që ju rrini në këmbë gjithë kohës dhe më vjen shumë mirë që jemi sot këtu sepse kjo kompani është një nga kompanitë lider në drejtim të trajtimit me respekt të punonjësve të vet. E fakti që këtu ka kaq shumë të rinj që janë limfa e kësaj kompanie dhe që kanë zgjedhur të rrinë këtu flet vetë. Flet vetë për respektin dhe flet vetë dhe për nivelin e shpërblimit që marrin.

Ne jemi në këtë cikël takimesh së bashku me Delinën dhe Oltën për të ngritur zërin edhe për domosdoshmërinë që sot është një kohë kur Shqipëria dhe sipërmarrja shqiptare që është edhe fuqia që e shtyn përpara ekonominë e vendit si të çdo vendi që ka sipërmarrje të lirë, nuk mund të luajë me zjarrin.

Sot është të luash me zjarrin që të mos paguash punonjësit në mënyrë dinjitoze.

Sot është të luash me zjarrin që të mos kuptosh ose të bësh sikur s’kupton që kemi hyrë në një kohë të re konkurrence që do të bëhet gjithmonë e më e egër për burimet njerëzore.

Në një kohë kur burimet njerëzore janë gjithmonë e më të çmuara sepse bota dhe më saktë Europa ku ne jetojmë po plaket dhe plakja e Europës shoqërohet me një nevojë gjithmonë e më të madhe për forca pune të reja që nuk gjenden më në mënyrë abondante, se s’më vjen fjala e duhur, për tu angazhuar nga brenda, prandaj të gjithë kërkojnë forca pune nga jashtë dhe faktikisht, në ndërkohë që këtu ne kemi hyrë në një fazë të re zhvillimi, një zhvillim që bazohet ndër të tjera si shtëpia në një nga shtyllat kryesore tek turizmi, e bën të domosdoshme që të garantojmë dhe forcat e punës. Për t’i garantuar forcat e punës duhet të garantohet trajtimi me respekt i tyre dhe arsyeja pse kjo kompani bën sukses është këtu, ndër të tjera. Është faktikisht tek ky dallim. Këto të gjitha janë kompani të ngjashme. Natyrisht që ndër to ka plot si kjo kompani fatmirësisht, por ka edhe plot akoma kompani që ndryshe nga kjo kompani dhe nga kompani si kjo, vazhdojnë gënjejnë mendjen se duke pasur 54% të punonjësve me pagë minimale do të mund t’i mbijetojnë kësaj kohe. Këto kompani në këtë sektor dhe në çdo sektor, po sillen me veten e tyre, pra pronarët e këtyre kompanive po sillen me pjellën e tyre, me krijesën e tyre, me burimin e të ardhurave të tyre si ai që tha: “si ka mundësi më ngordhi gomari, tamam kur e mësova mos të hajë”. Njësoj! Sepse do të humbasin me shpejtësi para syve atë që është në fund të fundit oksigjeni pa të cilin kompanitë s’jetojnë. Krahun e punës, forcat e punës.

Këtu tek kjo shifër, domethënë gjysma e të punësuarve në shërbimet e hoteleri-turizmit që kanë pagë minimale qëndron edhe një tjetër problem i madh me të cilin ne ndeshemi dhe për të cilin jo vetëm do flasim por dhe do veprojmë, që është mashtrimi i shtetit.  Mashtrimi i shtetit dhe grabitja e punonjësve, duke mos deklaruar pagën e tyre reale sepse nuk është e vërtetë shifra që të gjithë ata punonjës janë me pagë minimale se nuk të vjen më njeri kaq kollaj me pagë minimale, përjashto realitete ekonomike më të vështira, por jo në zonat ku bëhet turizëm real, nuk të vjen njeri, e di shumë mirë Geri, s’ka shans të të vijë njeri me pagë minimale, por ajo që ndodh është që pagën minimale ia deklaron dhe pastaj ia jep në të zezë ca lek të tjera dhe në këtë mënyrë i vjedh pensionin, i vjedh edhe të drejtën që të shkojë të marrë shërbim shëndetësor dinjitoz bazuar tek sigurimet e veta shoqërore. Ju të gjithë keni gjyshër dhe gjyshe dhe ju të gjithë jam i bindur sapo unë përmend fjalën gjyshër dhe gjyshe dhe jemi këtu duke folur për paga, mund të mendoni, “po mirë, ç’na flet ne, neve na i jep Geri këto rroga. Ky çfarë bën për gjyshen dhe gjyshin tim që kanë pensione që nuk mund të konsiderohen asesi të mjaftueshme për ta”? Çfarë bëj unë, çfarë bëjmë ne? Ne faktikisht me pensionet bëjmë atë që na jepni mundësi ju të bëjmë,  atë që na japin mundësi të gjithë të punësuarit të bëjmë dhe atë që na kanë dhënë  mundësi të punësuarit në vite të bëjmë, që do të thotë: nëse tek pagat është qeveria, është buxheti i shtetit kur vjen puna tek sektori publik, nëse tek pagat tuaja është “qeveria” juaj këtu, së bashku me ne sepse tek këto pagat që merrni ju, ne kemi ulur maksimalisht taksën se deri dje kush merr 80 mijë lekë këtu, do duhet të paguante 8 mijë lek, pra 80 mijë lek të vjetra taksë, sot nuk është më ajo. Ndërsa tek pensionet janë kontributet. Pensionet jepen nga shuma e kontributeve që mblidhen. Pra ti sot punon, paguan sigurime shoqërore, me ato sigurime shoqërore ti garanton që gjyshi yt, gjyshja jote të mund të marrë pensionin dhe ndërkohë ai që vjen pas teje paguan sigurime shoqërore që ti të marrsh pensionin. Pra ai është pensioni yt, por ama i shërben gjyshes dhe gjyshit tënd sot.

Kështu që, ky është dallimi dhe prandaj nuk mundet dot që ne të pranojmë akoma që sipërmarrësit të bëjnë lodra me punonjësit duke iu dhënë paga mbi dorë dhe pastaj një pjesë nën dorë, duke iu marrë sigurimet shoqërore, duke i goditur kështu dhe gjyshërit dhe gjyshet tuaja, por thelbi është që vetë ata, vetë e ardhmja e kompanive të tyre është e rrezikuar seriozisht sot pikërisht nga kjo qasje ndaj punonjësve. Nëse ka diçka që duhet garantuar sot mbi të gjitha është kapitali njerëzor. Të gjitha të tjerat rregullohen.

Mund të funksionojë këtu edhe me gjysmën e këtyre llambave, që meqë ra fjala nuk e di pse i mbani ndezur se ka dhe diell, po s’keni faj ju, se qeveria vazhdon paguan ato kompensimet që juve biznesi i vogël apo biznesi i shërbimeve mos paguani me çmimin  e tregut.

T’ju fusim në çmim tregu pastaj e shihni.  Po s’është puna se e bëni vetëm ju, e bëjnë shumë, por mund  të funksionojë. Unë nuk po them pa asnjë poç se po ta bësh një restorant në errësirë, ka një restorant në errësirë meqë ra fjala, që është komplet në errësirë, që është restorant mjaft i famshëm në Gjermani ku shkohet edhe as ti nuk e sheh kamarierin dhe as kamarieri nuk të sheh ty dhe e gjitha bëhet me… Po, është e vërtetë. Është eksperiencë e veçantë, por nuk mund të bëhet çdo ditë, nuk mund të bëhet çdo ditë. Unë s’kam qenë vetë, e kam dëgjuar pastaj e kam parë në internet. Mund ta shikoni. Nuk më kujtohet emri i tij po është komplet në errësirë, nuk sheh asgjë, vetëm ushqehesh dhe porosit dhe komunikon me zë, po për të parë, s’sheh asgjë dhe në mos gabohem edhe kamarierët aty janë të verbër, në mos gabohem.

Po kjo është një eksperiencë e veçantë për një herë në jetë, ama ajo që po them është që investimi, pagesa e punonjësve është investim, nuk është hall, nuk është gjëja e fundit dhe për ne tani kjo nuk është më thjesht një çështje rritje pagash, në sektorin privat. Kjo është një çështje beteje kundër shfrytëzimit. Ky është shfrytëzim. T’i japësh sot njerëzve paga përgjysmë ose paga minimale dhe ndërkohë vetë të vazhdosh të blesh vila, ky është shfrytëzim. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe ne do marrim masa. Ne nuk mund ta vendosim këtë, se nuk është qeveria që vendos sa duhet të jetë çdo pagë. Ne maksimumi që mund të bëjmë është që të rrisim pagën minimale . Nën këtë pagë nuk lejohet dhe pastaj axhustohen vetë të tjerat nga vetë kompanitë, por ama ne nuk do t’i japim asnjë shërbim kompanive që nuk shpërblejnë si duhet punonjësit.

Ne nuk do të pranojmë që të na vijnë të futen nëpër tenderat e shtetit me paratë e shtetit, kompani ndërtimi që thonë se e paguajnë punëtorin me pagë minimale se e para njëherë gënjejnë. Nuk ka punëtor ndërtimi sot që hipën në skelë sot që merr pagë minimale, se nuk të vjen.

E dyta, ajo që i paguajnë në të zezë duhet të dalë në të bardhë sepse iu marrin siç thashë, të ardhmen.

Dhe e treta, nuk mundet ne që tu japim leje ndërtimi askund kompanive që duan të bëjnë pallate me punëtorë që nuk marrin një pagë dinjitoze dhe po punojmë dhe do të vendosim kushte dhe do ta shtrijmë këtë edhe me kompani të tjera që duan shërbime nga shteti. S’kanë për t’i marrë. Ne nuk mundet të mbështesim me paratë e popullit shqiptar, se ato janë paratë e popullit shqiptar, të buxhetit të shtetit dhe shteti punon i gjithi me taksat, kompani të cilat shfrytëzojnë shqiptarët. Shqiptarë që shfrytëzojnë shqiptarët, për turpin e dheut, por dhe për të keqen e tyre dhe kjo është një ndihmë për ta, që të zgjohen ata përpara se të mbytet anija e kompanisë së tyre dhe mbytja e anijes së kompanisë nuk është se na krijon keqardhje për ta, por nuk mund të humbasim vende pune. Është e gjitha kjo e lidhur.

Natyrisht t’ju flasësh juve, është si t’u flasësh të konvertuarve kur i thonë sepse ju jeni në kushte të tjera  por e fundit që kam është që të jeni të bindur për një gjë, që kjo paga këtu, paga juaj mesatare që do të shkojë në vazhdim afro 85 mijë lekë, është jo shumë larg pagës që merr një kamarier apo një punonjës si ju në Gjermani . Pse? Jo në aspektin nominal, se kur e sheh pagën e atij, ai është më shumë, po ju kur çoheni tani të shkoni nëpër shtëpia, mund të shkoni edhe në këmbë. Nëse merrni autobusin paguani shumë më pak se ç’paguan një shoku juaj që ka shkuar në Gjermani dhe bën kamarierin dhe kur shkoni në shtëpi, tipikisht jeni në shtëpi tek prindërit tuaj, ku tipikisht shtëpitë janë pronë. Po edhe nëse janë me qera, as krahasohen me qiranë që paguhet atje. Nga ana tjetër nuk shkoni në shtëpi me 10 veta të tjerë siç shkojnë shumë dhe me radhë e me radhë dhe në fund të muajit ajo që i mbetet atij që merr rrugën dhe shkon atje nga paga, nuk është aq sa duket kur sheh diferencën mes pagave.

Pa llogaritur pastaj që në Gjermani, muhabetin e këtushëm, sidomos çunat këtu që pas punës rrinë atje, se gjeni dot, se s ‘ka kohë njeri dhe me dash nuk di ta bëjë atë muhabet siç e doni ju.

E dyta, kafen si këtu, harrojeni se e gjeni në Gjermani për muhabet. Ajo kafja në Gjermani është për të mos bërë muhabet.

Dhe e treta, këtu ju lodheni, nuk diskutohet sepse punoni, por harrojeni se krahasohet lodhja këtu me lodhjen atje.

Ama të gjitha këto që thashë unë barazohen me zero nëse paga nuk është e arsyeshme.

Dhe jam i sigurt që, Geri është çun i mirë, por mos kujtoni se ju paguan mirë se është çun i mirë. Ju paguan mirë se është çun i zgjuar, se e kupton që gomarin është mirë mos ta mësosh që mos të hajë, kështu që edhe kompaninë është mirë që të mos e marrësh si të mirëqenë se ka muret, dritat, sallat etj, por ta shikosh aty ku kompania ka burimin e oksigjenit të vetë që janë punonjësit. Shumë faleminderit edhe një herë për durimin.

E di qe pjesa me e madhe, mos të them të gjithë, po t’ju thoshin, – “ku doni ta kaloni këtë orë ulur”, – s’do e kalonit me mua, nuk diskutohet, por ka thënë Geri hajdeni tani se do diskutojmë për të ardhmen e kapitalizmit në Shqipëri, por në fund të ditës besoj që një gjë do ta mbani parasysh para se të më shani që ju bëra këtë muhabet, se do donit ndonjë muhabet tjetër, që të paktën ju mbajta ulur ndërkohë që Geri do ju mbante në këmbë.

Shumë faleminderit!

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA