Sipas studimeve të realizuara nga vetë britanikët rezulton se vetëm në Londër gjatë një dite konsumohen rreth 23 kg kokainë. Kryeqyteti i Anglisë ka rreth 12 milionë banorë.

Ndërkohë që çdo ditë mirëpret një numër të madh turistësh për shkak të atraksioneve që ofron. Ky qytet gjithmonë ka zgjuar interesin e turistëve edhe për faktin se aty është e vendosur familja mbretërore.

Por le të kthehemi në potencialin e madh që ka ky treg për përfitime, sa i përket kokainës. Sipas studimit në fjalë i bie që vetëm në këtë qytet të konsumohen rreth 8 tonë kokainë në vit. Por kush e zotëron këtë treg? A janë shqiptarët ata që e kanë “pushtuar” Londrën?! Në fakt në Angli numërohen rreth 5 mijë grupe kriminale të kombësive të ndryshme.

Britania e Madhe pastron rreth 100 miliardë paund në vit, para të pista, shuma këto që nuk vijnë vetëm nga droga. Nga këto para rreth 3 miliardë paund i gjeneron mafia ballkanike ku përfshihen edhe shqiptarët. Edhe pse shqiptarët nuk përbëjnë grupet më të forta dhe më të rrezikshme sa i përket trafikimit të lëndëve narkotike, ata po fitojnë terren.

Grupet shqiptare që merren me trafikimin dhe kultivimin e drogërave janë më të organizuar, më të sofistikuar dhe punojnë me çmime më të ulëta si dhe me cilësi më të lartë se grupet e tjera kriminale. Kjo i ka bërë që të shihen si një rrezik potencial sa i përket zotërimit të këtij tregu kaq të madh që ofron Anglia.

Të gjitha këto janë rreziqe të hamendësuara sa i përket ndarjes së tortës së madhe për zotërimin e tregut të narkotikëve. Por kjo nuk i justifikon as fjalimet raciste dhe as gjuhën diskriminuese që është përdorur në media për të etiketuar shqiptarët si të lidhur me krimin. Sipas të dhënave zyrtare të shtetit britanik janë rreth 88 mijë të dënuar në total të kombësive të ndryshme në të gjitha burgjet.

Prej tyre 1336 janë shqiptarë, nga të cilët 81 persona janë dënuar për dhunë ndaj personit. 22 shqiptarë janë dënuar për dhunë seksuale dhe 3 janë dënuar për mashtrim në të gjithë Anglinë. Numrin më të lartë të të dënuarve shqiptarë e mbajnë ata që janë për lëndët narkotike ku numërohen 1100 persona. Por ky numër është sërish shumë i ulët kur shohim që në total janë 22 mijë persona të dënuar për lëndë narkotike. Pra, vetëm 1 në 20 të dënuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA