Qytetarët e thjeshtë britanikë nuk duken të bezdisur nga komuniteti shqiptar. Madje ata i vlerësojnë shqiptarët si njerëz punëtorë e të respektuar.
“Unë luaj futboll rregullisht. Dhe një miku im solli një djalë me vete. Po përshëndeteshim, takuan djalin e ri në grup. Ai është Beni, djali që e njoh prej vitesh. Kemi luajtur futboll së bashku për 15 vite. Benin e kemi mik të mirë. Për mua, gjithë shqiptarët që kam njohur, dhe kam takuar shumë prej tyre, janë shumë të përqendruar te familja”- tha James Way një qytetar anglez.
“Shumë të respektueshëm, thjesht njerëz të mirë. Të gjithë ata që kam takuar kanë qenë njerëz të ngrohtë, miqësorë, njerëz të besueshëm. I vetmi person i njohur shqiptar në familjen tonë dhe në komunitetin tonë më të gjerë, ai ka thënë se është pjesë e strukturës se kush jemi ne si familje. Është djalë shumë i mirë”- tha John Samuels.
“Po, siç thashë, të gjithë shqiptarët që kam hasur kanë qenë njerëz të mirë. Por shtypi i lidh gjithnjë shqiptarët me veprimtaritë kriminale. Por njerëzit trajtohen sipas personit që takon. Të gjithë shqiptarët që kam takuar janë njerëz shumë punëtorë. Disa prej tyre kanë bërë disa punë njëherësh. Angazhohen në gjëra të ndryshme. Janë njerëz shumë të këndshëm, të ngrohtë dhe mikpritës. Shtypi i raporton gjërat në mënyrë për të krijuar bujë. Nuk mendoj se është e drejtë. Duhet ta takosh dikë, të shohësh vlerat, të shohësh çfarë bëjnë, të shohësh sa të sjellshëm janë,” tha James Way.
Ndërsa kur i pyet për ato që kanë parë e lexuar në media, shprehen skeptik. Ata janë të vetëdijshëm që media kërkon të bëj lajme sensacionale e herë jo të konfirmuara. Sipas tyre këtë herë ishte radha e shqiptarëve që të përballeshin me titujt bombastik e të fryrë.
“Shqiptarët që njoh, komuniteti shqiptar për të cilin jam në dijeni, janë të gjithë shumë punëtorë, u binden ligjit, e vlerësojnë familjen dhe janë njerëz të nderuar”- tha John Samuels.
Britania e Madhe gjithmonë ka patur banorë të kombësive të ndryshme. Larmia e kulturave, traditave dhe zakoneve e gërshetuara me mundësitë e shumta të punësimit e bëjnë këtë vend kaq të preferuar jo vetëm nga shqiptarët.
“Për punët e ligjshme është vërtet vendi i mundësive, nuk jam ndier asnjëherë e diskriminuar. Nuk është se këtu ka vetëm emigrantë shqiptarë, por ka nga të gjitha nacionalitetet dhe është vendi mikpritës le të themi për nacionalitete të ndryshme”- tha avokatja Kodra.
“Kam jetuar gjithë jetën rreth e rrotull Londrës. Londra është plot me njerëz nga çdo vend dhe kjo është gjë e mirë. Siç thashë, Benin e njoh prej vitesh. Nëpërmjet tij kam njohur shumë shqiptarë të tjerë. Luajnë futboll me ne dhe janë njerëz të mirë. Po, janë zbavitës. Janë punëtorë. Janë kryesisht njerëz të mirë”- tha James Way.
Top Channel