Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka informacione se në Rashkë të Serbisë është një grup i personave që po trajnohet me qëllim destabilizimin e veriut të Kosovës.
Një gjë e tillë duket se është ndarë me deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë raportimit të së mërkurës të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti.
“E ashtuquajtura organizata e mbrojtjes civile atje në bashkëpunim edhe me Listën Serbe, vazhdimisht kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarë të kësaj organizata, tashmë dy grupe janë duke kryer kurset e trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë” -tha Ganimete Musliu. deputete, PDK.
Ajo shton se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për çdo incident të mundshëm meqë është shtuar edhe presioni ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.
“Si shtet dhe institucione duhet të jemi vigjilent dhe të përgatitur për çdo provokim të situatës atje që mos të na zënë në befasi, pasi asgjë nuk mund të jetë e papritur”- tha Ganimete Musliu, deputete, PDK.
Musliu ka shtuar se të ashtuquajturit pjesëtarë të Mbrojtjes Civile trajnimet që po marrin në qytetin kufitar të Rashkës kanë të bëjnë me gjuajte me armë.
Në katër komunat veriore të Kosovës më 23 prill mbahen zgjedhjet lokale ku Lista Serbe nuk merr pjesë. Që nga deklarimi për mospjesëmarrje nga kjo parti, kanë filluar djegiet e veturave të qytetarëve serbë, për çka një person është arrestuar. Pas këtij arrestimi Lista Serbe ka paralajmëruar kryengritje në rast se nuk lirohet.
Top Channel