NATO shton prodhimin e armëve: Do ndihmojmë Ukrainën

04/04/2023 15:07

NATO-ja po rrit prodhimin e armëve me qëllimin që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në përballjen e saj me pushtimin rus.

Pohimin e bëri shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, sipas të cilit sfida kryesore me të cilën përballët NATO-ja sot është fakti që kjo “është kthyer në një luftë shkatërrimi, që do të thotë se beteja logjistike ka të bëjë me marrjen e municioneve, armëve, furnizimeve në vijat e frontit“. Ai argumentoi se ndihmat e vazhdueshme me armatime për Kievin mund të shteronin rezervat e vendeve anëtare.

“Për këtë arsye, ne tani po punojmë gjithashtu fort për të rritur prodhimin sepse kështu mund të sigurohemi që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Do të ishte një tragjedi për Ukrainën nëse presidenti rus Vladimir Putin fiton, por është gjithashtu e rrezikshme edhe për aleatët e NATO-s”, tha Stolenberg.

Stoltenberg bëri pak dhe një përshkrim të situatës aktuale në terren. Sipas tij, aleanca ka vënë re se trupat ruse ka një moral të ulët, pajisjet janë shpesh të këqija dhe trajnimi nuk është shumë mbresëlënës”.

“Lidershipi ushtarak rus nuk po funksionon në shumë prej operacioneve… Por, atë që trupave ruse u mungon në cilësi, Moska përpiqet ta plotësojë në sasi. Kështu që ata dërgojnë në vijën e parë me mijëra trupa, shumë prej të cilëve të pajisur e të trajnuar keq. Por sigurisht, edhe kështu, janë në gjendje të shkaktojnë viktima në palën ukrainase”, u shpreh shefi I NATO-s, duke shtuar se është përgjegjësi e aleancës të sigurohet që konflikti të mos bjerë në një ngërç afatgjatë.

Top Channel