Gazetarët e pavarur rusë, thirrje për lirimin e reporterit amerikan: Akuzat për spiunazh, të pabaza!

04/04/2023 16:37

Një grup gazetarësh të pavarur rusë dhe figura publike u kanë bërë thirrje autoriteteve që ta lirojnë reporterin amerikan, Evan Gershkovich, i cili u arrestua javën e kaluar në Rusi me akuza për spiunazh – të cilat shihen nga komuniteti ndërkombëtar si të motivuara politikisht.

Përmes një letre të botuar më 4 prill nga kanali i pavarur televiziv, Dozhd, me qendër në Letoni, gazetarët rusë thanë se akuzat për spiunazh të ngritura kundër Gershkovich nga Shërbimi Federal i Sigurisë ruse janë të pabaza dhe nuk duhet besuar.

Evan Gershkovich u arrestua në Yekaterinburg, qytetin e maleve Urale, pasi që dyshohet se po përpiqej të siguronte informacion të klasifikuar. Ai ishte duke raportuar për qëndrimin e rusëve ndaj luftës së Kremlinit kundër Ukrainës dhe ndaj grupit mercenar, Wagner.

FSB-ja pretendoi se kishte ndaluar “aktivitetet e paligjshme” dhe se gazetari ishte arrestuar “duke vepruar sipas udhëzimeve të SHBA-së”. 32-vjeçari Gershkovich, i cili është shtetas i SHBA-së, mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor për spiunazh. Gershkovich raporton për Rusinë dhe Ukrainën si korrespondent në zyrën e Moskës të Wall Street Journal. Letra thotë gjithashtu se nuk duhet besuar asnjë nga pretendimet e autoriteteve ruse.

Vlen të theksohet se një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken telefonoi homologun e tij rus, Sergei Lavrov, dhe i kërkoi lirimin e gazetarit amerikan. Lirimin e tij e ka kërkuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Top Channel