Ligji i ri në Francë detyron ‘influencuesit’ të sinjalizojnë kur përdorin filtra në fotot e videot e tyre (fotot)

01/04/2023 18:30

Ata që njihen tashmë si “influencues”, prej numrit të konsiderueshmë të audiencës në rrjet, në Francë detyrohen me ligj të njoftojnë për efektet që përdorin në përmbajtjet e tyre online, përndryshe përballen me gjoba dhe kohë në burg, në varësi të keqinfluencimit, keqinformimit të publikut, që shpeshherë është nën moshë.

Qeveria tha se kërkon të kalojë ligjin e ri që detyron etiketim për fotot e përpunuara apo të filtruara, duke cilësuar dhe efektet e përdorura.

Masa ndalon gjithashtu që modelet e rrjetit të promovojnë procedura kozmetike, si pjesë e partneriteteve të tyre financiare.

Kjo sipas autoriteteve bëhet për të “kufizuar efektet psikologjike shkatërrimtare te përdoruesit e rinj të rrjeteve sociale”.

Sigurisht shumë nga filtrat në fjalë mund të përdoren drejtpërdrejt në aplikacionet si Instagram, TikTok, e Snapchat të cilat janë të dukshme si të tilla, si për shembull vizatimet e fluturave në faqe apo fytyrë, apo pamje në bardhë e zi për t’u dukur si në një film të viteve  1950-të.

Por shumë mjete të tjera mund të ndryshojnë pa u vene re fytyrën apo formën e trupit të përdoruesit, për ta bërë të duket “më tërheqës”, ose sipas termave të leverdishme të krijuara enkas, ‘Insta-ready’.

Zyrtarët thanë se duke mos etiketuar filtrat e padukshëm në fotot e tyre, influencuesit e rrjetit mund të jenë duke promovuar stadarde të paarritshme bukurie që kanë shkaktuar probleme të shumta me të miturit dhe personat naivë.

Ministri francez Bruno Le Marie tha kësaj jave se do të ketë ‘zero-tolerancë’ për ata që shkelin këto rregullacione në rrjetet sociale.

Nëse kalon ligji do të dënojë shkeljet me gjoba deri në €30,000 ose deri në dy vjet burg për rastet më të rënda.

Plus, influencuesit do të ndalohet të përdorin rrjetet sociale apo të vijojnë karrierat e tyre online.

Ligji do të aplikohet për influencuesit francezë që jetojnë në vend ose jashtë, që kanë audienca në Francë apo partneritete financiare me prodhues produktesh në vend.

Përveç standardeve të bukurisë, ligji do të ndalojë promovimin e bixhozit dhe të kriptovalutave.

Le Marie insistonte se qeveria nuk kërkon të godasë influencuesit por të krijojë një sistem që mbron si ata dhe ndjekësit e tyre.

FOTO GALERI
2/3
Masa ndalon gjithashtu që modelet e rrjetit të promovojnë procedura, produkte kozmetike, si pjesë e partneriteteve të tyre financiare.

Top Channel