Top Channel publikoi fakte autentike të cilat mbërritën në redaksitë tona nga burime anonime dhe që flasin për implikimin e ish kryetares së LSI dhe deputetes së Partisë së Lirisë në lidhje ruse.

Këto fakte janë faturat bankare, llogaritë bankare në disa banka në Zvicër dhe Portugali e Qipro nga të cilat zonja Kryemadhi ka marrë dhe ka dërguar para në kompani offshore që ishin në zotërim nga aksionerët kryesorë të lidhur ngushtësisht me politikat dhe me vetë presidentin e Rusisë, Vladimir putin, partinë e tij. Ja çfarë deklaron zonja Kryemadhi.

“Unë si kallëzuese e inceneratorëve, nuk i kthehem pas kallëzimeve të mija, për faktet flagrante të shkeljes së ligjit nga Edi Rama, Erion Veliaj, Armando Subashi, dhe të gjithë zyrtarët e zinxhirit të këtij grupi mafioz. Për të gjithë shqiptarët, dua ta dini se këto shërbime të dezinformacionit janë të gjitha të financuara nga paratë tuaja. Ndaj paratë për inceneratorët nuk ndalojnë. Sepse, me paratë që Erion Veliaj paguan inceneratorin e Tiranës, blihen media kombëtare brenda vendit dhe kontraktorë të botës së errët që ofrojnë shërbime nga më të dyshimtat. Megjithatë, Ju rikujtoj edhe njëherë se, me Artikujt, Mediat, Televizionet që ushqehen me paratë e vjedhura nga shqiptarët, do të shihemi në gjykatë.”

Reagimi në formë akuze e ish kryetares së LSI nuk shpjegon në fakt asnjë nga llogaritë bankare dhe numrat konkrete te llogarive bankare.

Udhëtimet që përkojnë me kohën e veprimeve të këtyre llogarive. Disa nga këto fakte më herët ishin publikuar edhe nga Eureport. Në këtë pikë kur e akuzuara për para ruse nuk jep shpjegime por hedh akuza dhe aludime është mirë që prokurorët e SPAK të nisin verifikime dhe hetime.

Nëse ka vend për dyshime mbi vërtetësinë e fakteve të publikuara nga Top Channel apo akuzave që bën Kryemadhi, Top Channel e fton SPAK të bëjë hetime në çdo aspekt. Top Channel publikoi dokumente auttentike dhe solli faktet konkrete se si një nga politikanet kryesore në vend, në vitin 2017 kishte kryer veprime bankare me kompani offshore të lidhura me Kremlinin.

Tani është detyre e drejtësisë të vërtetojnë dhe cerfitikojnë vërtetësinë e tyre. Po ashtu është detyre e Drejtësisë të japë përgjigje edhe për aludimet e pabaza që zonja Kryemadhi lëshoi ndaj medias kombëtare që publikoi këto fakte.

Top Channel