Biden “drejt” tornados, shkon në zonat e prekura: Një katastrofë

01/04/2023 12:45

Joe Biden mbërriti në Missisipi për të parë nga afër vazhdën e shkatërrimeve që lanë pas në këtë shtet amerikan moti i keq dhe tornadot e fuqishme.

Më herët, një person kishte humbur jetën e dhjetëra të tjerë u lënduan pasi çatia e një teatri në Illinois u shemb për shkak të stuhisë. Rreth 260 persona ndodheshin brenda teatrit Apollo, kur ndodhi ngjarja, njoftoi departamenti lokal i zjarrfikësve.

Shefi i tij, Shaën Schadle, u tha gazetarëve se 28 persona ishin dërguar në spital e pesë prej tyre ishin në gjendje të rëndë.

Një seri tornadosh të fuqishme u regjistruan në disa shtete amerikane të premten, duke lënë të vrarë të paktën katër persona në vend. Dëme të shumta u raportuan në pjesën e jugut dhe të perëndimit. Shtetet e Arkansasit dhe Misurit shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Dhjetëra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike.

Një tornado e madhe e goditi kryeqytetin e shtetit të Arkansasit, Little Rock, duke rrokullisur makina, thyer çati dhe rrëzuar pemë. Të paktën 24 persona u plagosën, sipas kryebashkiakut të qytetit.

Guvernatorja e shtetit, Sarah Huckabee Sanders, konfirmoi vdekjen e dy personave në qytetin Wynne, rreth 170 kilometra larg kryeqytetit.

Mbi 40 tornado u raportuan gjithsej në gjashtë shtete të premten mbrëma, sipas Qendrës amerikane të Parashikimit të Stuhive. Disa fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Çikagos O’Hare u shtynë ose u anuluan pasi pasagjerët u këshilluan të strehoheshin sa te kalonte moti I keq. Ky grumbull trombash vdekjeprurëse te ajrit vjen vetëm një javë pasi një tornado në Misisipi vrau 26 njerëz.

Biden premtoi ndihma federale për rimëkëmbjen e zonave të prekura, ndërsa pohoi se ishte vërtet një katastrofe ajo që i shihnin sytë pasi autokolona e makinave të tij kalonte pranë banesave të kthyera në gërmadha.

Top Channel