Po luteshin në tempull, shembet dyshemeja: 35 të vdekur në Indi!

31/03/2023 12:23

Të paktën 35 persona humbën jetën pasi ranë në një pus të madh teksa luteshin në një tempull në shtetin qendror indian të Madhya Pradesh.

14 besimtarë u arrit të shpëtoheshin, ndërsa një person ende rezulton I zhdukur. Policia tha se viktimat ishin duke qëndruar në një pllakë betoni mbi pus, por ajo u shemb nën peshën e tyre.

Kryeministri Narendra Modi u shpreh jashtëzakonisht i prekur nga kjo fatkeqësi. Incidenti ndodhi gjatë një ceremonie lutjeje të organizuar në tempullin Beleshwar Mahadev Jhulelal me rastin e festivalit hindu të Ram Navami. Një turmë e madhe njerëzish po qëndronte mbi pllakën e betonit që mbulonte gropën poshtë thuajse 12 metra të thellë.

Sipas mediave lokale, tempulli ishte ndërtuar aty pasi pusi qe mbuluar rreth katër dekada më parë, por nuk qe mbushur me dhe. Një ekip prej 75 personash, përfshirë ata nga forcat shtetërore dhe kombëtare të reagimit ndaj fatkeqësive janë të angazhuar në përpjekjet e shpëtimit.

Kryeministri Shivraj Singh Chouhan njoftoi se do të ketë një kompensim prej 500,000 rupish apo 6000 dollarë për të afërmit e të vdekurve, dhe 50,000 rupi për të plagosurit.

Top Channel