“Ikni të gjithë nga Rusia”, SHBA apel pas arrestimit të gazetarit!

31/03/2023 14:57

“Largohuni nga Rusia menjëherë”: Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken u shpreh thellësisht i shqetësuar nga arrestimi një gazetari amerikan të Wall Street Journal dhe i këshilloi shtetasit amerikanë që jetojnë atje apo janë duke e vizituar këtë vend, të largohen sa më parë prej andej.

“Prioriteti më i lartë i Departamentit amerikan të shtetit është siguria e qytetarëve amerikane jashtë kufijve”, thuhet në deklaratën e Blinken. Gazetari Evan Gershkovich u prangos nën akuzën e spiunazhit, e para herë kjo që prej Luftës së Ftohtë që një korrespondent amerikan arrestohet me një pretendim të tillë. Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB njoftoi se Gershkovich u ndalua në qytetin e Ekaterinburgut teksa përpiqej sipas tyre të merrte informacione të klasifikuara.

FSB, pasardhësja e KGB-së sovjetike, aludon se Gershkovich “po vepronte sipas urdhrave të Shteteve të Bashkuara për të mbledhur informacione rreth aktiviteteve të njërës prej ndërmarrjeve të industrisë ushtarake ruse, që janë të klasifikuara si sekret shtetëror”. “The Wall Street Journal” i mohoi me forcë akuzat e kërkoi lirimin e menjëhershëm të Gershkovichit. Organizata “Gazetarët Pa Kufij” u shpreh në momentin e arrestimit, korespondenti ka qenë duke mbledhur të dhëna mbi një artikull që lidhej me Grupin famëkeq të mercenarëve Wagner.

Shtetet e Bashkuara njoftuan në muajin janar sanksione ndaj Wagnerit, i cili ka mbështetur sulmin e Rusisë në Ukrainë.

Top Channel