Finlanda në NATO, Turqia i jep dritën jeshile: Suedia “ta harrojë”!

31/03/2023 08:44

Me shumicë të qartë votash, parlamenti turk i dha dritën jeshile anëtarësimit të Finlandës në NATO, duke hequr kështu pengesën e fundit në rrugën e shtetit nordik drejt bashkimit me aleancën më të madhe ushtarake të globit.

Një hap i tillë pritej duke qenë se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan dha javën e kaluar aprovimin e tij, pas vonesave disa mujore. Turqia u bë kështu e fundit  nga 30 vendet anëtare të NATO-s që miratoi kërkesën e Finlandës për t’u bashkuar me aleancën veri-atlantike.

 “Anëtarësimi i Finlandës në NATO u aprovua në mënyrë unanime. Ne jemi në favor të aderimit të saj. Besojmë se NATO-ja do të bëhet edhe më e fuqishme si organizatë me afrimin e Finlandës”, ka thwnw Ahmet Unal Cevikoz.

Të hënën, pranimi i vendit në NATO u ratifikua edhe nga Hungaria. Pas votimit në Parlamentin turk,  presidenti i Finlandës Sauli Niinistö i falënderoi 30 anëtarët e aleancës për besimin dhe mbështetjen e tyre, duke premtuar se vendi i tij do të jetë një aleat i fortë dhe i aftë. Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, falenderoi gjithashtu kolektivisht të gjithë anëtarët e NATO-s.

Si presidenti edhe kryeministrja  finlandeze shprehën po ashtu mbështetjen e tyre për vendin fqinj të Finlandës, Suedinë, në rrugën e saj drejt NATO-s, ndërkohë që pranimi i kësaj të fundit ende pengohet si nga Hungaria, ashtu edhe nga Turqia. Tani Finlandës i duhet të plotësojë në ditët në vijim disa formalitetet dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, pranimi i Finlandës në NATO mund të vuloset në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s ne 4 e 5 prill.

Top Channel