Ndihmuan shokun e Putinit të depozitonte miliona franga, dënohen bankierët

30/03/2023 11:16

Katër bankierë që ndihmuan një shok të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putinit të depozitonte miliona franga përmes llogarive bankare zvicerane janë dënuar për mungesë kujdesi në transaksionet financiare.

Të katërtit u shpallën fajtorë të enjten për akuzën se ndihmuan Sergey Rolduginin, një violonçelist i cili është quajtur “kuleta e Putinit” nga qeveria zvicerane, i cili është edhe kumbari i vajzës së madhe të Putinit, Marias.

Bankierët – tre rusë dhe një zviceran – ndihmuan Rolduginin të depozitonte miliona franga në llogaritë bankare zvicerane gjatë periudhës prej vitit 2014 deri më 2016.

Këta katër burra, të cilët nuk mund të identifikohen shkaku i kufizimeve zvicerane për raportime, u shpallën fajtorë në një seancë në Gjykatën e Cyrihut dhe u dënuan me kusht me nga shtatë muaj secili.

Në aktakuzën e parë nga agjencia e lajmeve Reuters theksohej se si njerëz si Roldugini u përdorën për t’i fshehur pronarët e vërtetë të parave.

Në Zvicër, bankat janë të detyruara të refuzojnë ose të ndërpresin marrëdhëniet afariste nëse ka dyshime për identitetin e palës kontraktuese.

Katër zyrtarët ndihmuan Rolduginin të përdorte dy llogari bankare në Gazprombank në Cyrih, përmes të cilave rrodhën miliona franga, pa kryer kontrolle të mjaftueshme.

Prokuroria kishte pretenduar se ata nuk kishin bërë mjaftueshëm kontrolle për të verifikuar identitetin e pronarit të vërtetë të pasurisë, pasi që nuk ishte e besueshme që Roldugini të ketë qenë pronari i vërtetë.

Në këtë rast bëhet fjalë për një shumë prej rreth 30 milionë franga zvicerane, sipas prokurorit publik Jan Hoffmann.

Muzikanti, i cili figuron në listën zvicerane të rusëve të sanksionuar, nuk ka asnjë aktivitet të listuar si biznesmen. Në atë kohë, muzikanti i kishte thënë mediumit amerikan New York Times se ai nuk ishte biznesmen dhe nuk zotëronte miliona.

Roldugini ishte në mesin e shumë anëtarëve të rrethit të brendshëm të Putinit të sanksionuar nga Perëndimi, përfshirë vende si Zvicra, pasi Rusia filloi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës vitin e kaluar.

“Të gjitha provat kundërshtojnë [argumentin se] Sergey Roldugin është pronari i vërtetë i aseteve”, kishte thënë Hoffmann në një seancë të mëparshme. “Bankierët nuk i kanë ndjekur rregullat dhe prandaj duhet të ndëshkohen”, shtoi ai.

Top Channel