Ndihmuan mikun e Putinit të “fshihte” paratë, dënohen bankierët në Zvicër!

30/03/2023 13:49

Katër bankierë që ndihmuan mikun e ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, të depozitonte miliona franga përmes llogarive bankare në Zvicër janë dënuar për mungesë kujdesi në transaksionet financiare.

Akuza ndaj tyre lidhej me asistencën e dhënë violoncelistit Sergey Rolduginit, të cilin qeveria zvicerane e cilësoi si “njeriun-kuletë të Putinit”. Bankierët – tre rusë dhe një zviceran – e ndihmuan Rolduginin, i cili është dhe kumbari i vajzës së madhe të Putinit, Marias, të depozitonte shuma marramendëse parash në llogaritë bankare zvicerane nga viti 2014 deri në 2016-tën.

Kjo gjë përmes dy llogarive bankare në Gazprombank në Zyrih, pa u kryer verifikime të mjaftueshme. Nga sa pohon Reuters, në aktakuzën e parë nënvizohet se si njerëz si Roldugini u përdorën për të fshehur pronarët e vërtetë të parave. Në Zvicër, bankat janë të detyruara të refuzojnë ose të ndërpresin marrëdhëniet afariste nëse ka dyshime për identitetin e palës kontraktuese.

Katër burrat, të cilët nuk mund të identifikohen shkaku i kufizimeve zvicerane për raportime, u shpallën fajtorë në një seancë në Gjykatën e Zyrihut dhe u dënuan me kusht me nga shtatë muaj heqje lirie secili.

Top Channel