“Mos luani me zjarrin”: Presidentja e Tajvanit në SHBA, paralajmëron Kina!

30/03/2023 08:43

Mbërritja e presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-Wen në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara ngjalli reagimin e menjëhershëm të Pekinit, që e kërcënoi Washingtonin për pasoja serioze.

Tsai është duke zhvilluar një udhëtim në Amerikën Qendrore e gjatë ndalesës në SHBA, ajo pritet të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve. Kaq mjaftoi që nga Kina të mbërrinte paralajmërimi se nëse takimi realizohet, ai mund të çojë në një “konfrontim serioz”. SHBA-ja u përpoq të tregonte se ky ishte një reagim I tepruar I palës kineze.

“Shtetet e Bashkuara shpresojnë në një kalim normal dhe pa trazira. Të mos harrojmë se ky është udhëtimi i shtatë i presidentes Tsai përmes SHBA-së gjatë kohës së saj si lidere Tajvanit. Është diçka e zakonshme. Edhe president të tjerë tajvanezë kanë kaluar transit në SHBA. Nuk ka asgjë të pazakontë këtu”, ka thënë zëdhënës i Sigurisë Kombëtare John Kirby.

Kjo përbën herën e 29-të që një president i Tajvanit kalon transit në Shtetet e Bashkuara, duke nisur që nga presidenti i parë i ishullit në 1994-tën. Para mbërritjes së saj, i dërguari i lartë i Kinës në Uashington e akuzoi Amerikën se po trumpeton pavarësinë e Tajvanit duke lejuar Tsai-n të “bëjë bujë” në SHBA e duke minuar kështu “sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, ndërsa i bëri thirrje që të “mos luajnë me zjarrin”.

Top Channel