I bukur dhe i nevojshëm një vit më parë, ja si duket ky liqen i Evropës ndërsa thatësira thellohet

30/03/2023 17:41

Ky liqen dikur i lulëzuar është tharë plotësisht. Është një histori e përsëritur në të gjithë Evropën ndërsa thatësira thellohet.

Liqeni Montbel shtrihet në 1400 hektarë të Francës jugperëndimore, në ultësirën e Pirenejve – një strehë për kafshët e egra, një burim jetik ujitjeje për fermerët dhe ujë për lumenjtë lokalë dhe një parajsë turistike. Por pas dimrit më të thatë në më shumë se gjashtë dekada, ai është një “hije e vetvetes” së mëparshme.

Nivelet e pakësuara të ujit, varkat e zhytura në tokë, pamjet aktuale të liqenit Montbel të kujtojnë më shumë atë që mund të pritet në fundin e një vere përvëluese.

Liqeni Montbel në rrëzë të maleve të Pirenejve është më shumë se 70% bosh.

Aktualisht, në rreth 28% të kapacitetit të tij, nivelet e ujit janë më pak se gjysma e zakonshme për këtë periudhë të vitit.

Në historinë e liqenit, të krijuar në fillim të viteve 1980, kjo është hera e parë që kjo situatë ka qenë kaq serioze,” tha një fermer.

Kjo histori e ekstremeve është ajo që po shfaqet në të gjithë Evropën. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, bora dhe shiu që kanë goditur Kaliforninë kanë ndihmuar në mbushjen e rezervuarëve dhe lehtësimin e thatësirës së pandërprerë, dimri nuk ka qenë aspak i mirë për shumë pjesë të Evropës.

Ende të tronditur nga vera e vitit të kaluar dhe thatësira më e keqe në 500 vjet , pjesë të kontinentit kanë përjetuar nivele kaq të ulëta të borës dhe shiut, saqë frika po rritet për atë që mund të ndodhë me afrimin e verës – dhe më gjerë.

Ndërsa ndryshimet klimatike intensifikohen, shkencëtarët thonë se mund të presim që thatësirat dhe valët e të nxehtit të bëhen më të shpeshta dhe më të rënda – duke ushtruar presion të madh mbi burimet ujore .

Një vozë mbi ujë shihet në brigjet e liqenit pjesërisht të thatë Montbel ndërsa Franca përballet me një periudhë rekord të thatë dimërore.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel