Një grup invalidësh në qytetin e Elbasanit në lagjen ‘Vullnetari’ ankohen në redaksinë e emisionit Fiks Fare për vonesat e kalimit të pensioneve të invaliditetit.

Ata thonë se prej 5 vitesh u duhet të presin në radhë që prej orëve të para të mëngjesit për të marrë pensionin e aftësisë së kufizuar, pasi nuk kanë një datë fikse.

Një e moshuar tregon se vjen çdo ditë të javës që në orën 6 të mëngjesit për të mbajtur radhën. “Na mbajnë me shpresën se do të kalojnë sot, do të kalojnë nesër. 5 vjet e njëjta gjë” shprehet e moshuara.

Gazetarët e Fiks Fare bashkë me qytetarët futen në zyrat e Postës nr. 3 të qytetit të Elbasanit për të biseduar me punonjëset e zyrës. Pas një bisede telefonike me drejtoreshën e postës Elvira Hoxha, kjo e fundit thotë se zyra jona është e varur nga fondet e bashkisë, kur ata kalojnë shumën në llogari të bankës, më pas unë posta bën tërheqjen. Drejtuesja e postës thotë se deri në orën 8 të mëngjesit kur ajo kishte kryer kontrollin e fundit në llogari nuk ka patur asnjë fond të kaluar dhe u duhet të presin pas orës 12 të mesditës.

Gazetarët bashkë me qytetarët i drejtohen zyrave të Bashkisë së Elbasanit, ku punonjësit e informacionit thonë se vonesat janë për shkak të mbledhjes së këshillit të bashkisë dhe varet se kur mblidhet ai. “Për herë të fundit këshilli për këtë problem është mbledhur ditën e djeshme, dhe sot bëhet kalimi” pohon punonjësi i informacionit.

Gazetarët u thonë se do të presin për të parë nëse problemi i grupit të invalidëve do të zgjidhet. Dhe pas interesimit të Fiksit ashtu ndodhi. Në orën 14:32 minuta lekët e pensioneve për personat me aftësi të kufizuar mbërritën në postën nr. 3. Denoncuesit falenderojnë Fiks-in për ndërhyrjen që bëri.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA