Dita Ndërkombëtare e Mjekut/ Presidenti Begaj uron bluzat e bardha: Mirënjohje për përkushtimin gjatë pandemisë së Covid 19

30/03/2023 10:08

Një nga profesionet më të vjetra dhe më të rëndësishëm në botë është ai i mjekut. 30 marsi është caktuar si Dita Ndërkombëtare e Mjekut, për të vlerësuar punën e palodhur dhe humane të bluzave të bardha.

Në urimin e tij për mjekët në Shqipëri, presidenti Bajram Begaj kujton angazhimin e tyre gjatë periudhës së vështirë të Covid 19.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Mjekut, uroj të gjithë mjekët e Shqipërisë, për punën e tyre të palodhur, në shërbim të qytetarëve.

Pandemia Covid 19, na risolli në vëmendje madhështinë dhe përulësinë e misionit të mjekut. Për muaj me radhë, mjekët tanë iu dedikuan pacientëve të sëmurë, duke i qëndruar besnikë “Betimit të Hipokratit” e duke mos pyetur për rrezikun që i kanosej atyre vetë apo familjarëve.

Sot, teksa për fat ditët e vështira të pandemisë duken kujtim i së shkuarës, nuk duhet t’i mbetet së shkuarës shembulli i vetëmohimit të tyre, përkundrazi, duhet të jetë një arsye më shumë, për të respektuar bluzat e bardha për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

Respekt dhe mirënjohje ndaj mjekëve tanë, ndaj të gjithë kolegëve dhe miqve të mi të nderuar”, shkruan Begaj në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale.

Top Channel