Vendimet e Këshillit të Ministrave/ Regjistër me të dhënat e të dënuarve shqiptarë në botë

29/03/2023 16:15
Öùôïãñáößá áñ÷åßïõ ìå çìåñïìçíßá 26 Íïåìâñßïõ 2004 áðü ôéò öõëáêÝò Êïñõäáëëïý.Ðåñéóóüôåñïé áðü 5500 êñáôïýìåíïõò óôéò öõëáêÝò ôçò ÷þñáò êÜíïõí áðï÷Þ áðü ôï óõóóßôéï ôïõò äéáìáñôõñüìåíïé ãéá ôéò êáêÝò óõíèÞêåò äéáâßùóçò ôïõò.

Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së kësaj të mërkure mori vendimin e miratimit të një regjistri me të dhënat e të dënuarve shqiptarë në botë.

Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit administrohet e mirëmbahet nga Ministria e Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

Në njoftimin e plotë të Këshillit të Ministrave janë dhënë detaje për vendimin.

Vendimi i plotë

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR TË DHËNAT PARËSORE DHE DYTËSORE, RREGULLAT PËR NDËRVEPRIMIN ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE SHTETËRORE DHE NIVELIN E AKSESIMIT NË REGJISTRIN ELEKTRONIK TË GJENDJES GJYQËSORE TË SHTETASVE TË DËNUAR JASHTË VENDIT, POR ME BANIM TË PËRHERSHËM NË SHTETIN SHQIPTAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 29, të ligjit nr.10193, datë 3.12.2009, “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e rregullave të hollësishme për të dhënat parësore dhe dytësore, që regjistrohen në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, rregullat për ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave shtetërore, si dhe nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara në këtë bazë të dhënash në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit.

2. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është një bazë e të dhënave shtetërore, nëpërmjet së cilës grumbullohet informacioni i organizuar dhe i ruajtur në formë elektronike për ҫdo vendim penal të formës së prerë, të dhënë nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryhet nëpërmjet një sistemi kompjuterik.

3. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit administrohet e mirëmbahet nga Ministria e Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

4. Përpunimi i të dhënave personale në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit kryhet në përputhje me parimet dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

II. PËRMBAJTJA, ADMINISTRIMI DHE RUAJTJA E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT ELEKTRONIK TË GJENDJES GJYQËSORE TË SHTETASVE TË DËNUAR JASHTË VENDIT

5. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhënat për çdo vendim penal të dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, që rezultojnë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) të vitit 2010.

6. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhëna për:

a) gjendjen civile të personit të dënuar;
b) shtetin në të cilin është dënuar personi dhe autoriteti gjyqësor që ka dhënë dënimin;
c) vendimin penal të autoritetit gjyqësor të huaj;
ç) veprën penale për të cilën është dënuar;
d) masën e dënimit;
dh) shtetin e ekzekutimit të vendimit penal.

7. Të dhënat e regjistrit të shtetasve të dënuar jashtë shtetit në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore.

8. Të dhënat parësore, që përmban regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, janë:

a) shteti në të cilin është dënuar personi;
b) autoriteti gjyqësor që ka dhënë dënimin;
c) të dhënat e vendimit penal të autoritetit gjyqësor të huaj, si numri i vendimit, data e vendimit dhe dispozitivi i vendimit;
ç) vepra penale për të cilën është dënuar;
d) masa e dënimit;
dh) shteti i ekzekutimit të vendimit penal;
e) të dhëna nëse vendimi penal është dhënë në mungesë, nëse ekzekutimi i dënimit penal është parashkruar apo nëse i dënuari është rehabilituar.

9. Të dhënat dytësore, që përmban regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, janë:

a) të dhëna lidhur me përbërës të gjendjes civile, si emri, mbiemri, numri personal, numri personal për shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, datëlindja, vendlindja, gjinia, emri i babait, emri i nënës, gjendja civile, të dhënat për vendbanimin dhe vendqëndrimin;
b) të dhëna referenciare nga ndërveprimi me baza të dhënash të tjera, sipas pikës 10, të këtij vendimi.

III. NDËRVEPRIMI ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE DHE NIVELI I AKSESIMIT PËR SUBJEKTET E INTERESUARA

10. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit ndërvepron me baza të tjera të dhënash, të cilat janë:

a) të dhëna nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
b) sistemi elektronik i regjistrimit të çështjeve gjyqësore në Shqipëri;
c) regjistri i çështjeve penale në Shqipëri;
ç) të dhëna nga baza e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë të autoriteteve juridiksionale të huaja, në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë.

11. Dhënës i informacionit për bazën e të dhënave në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është:

a) ҫdo mision diplomatik në shtetin e huaj;
b) çdo autoritet tjetër publik që merr dijeni për dënimin me vendim të formës së prerë nga një gjykatë e huaj për një shtetas shqiptar, shtetas i huaj apo pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar.

12. Subjekte të interesuara janë:

a) organi i prokurorisë;
b) Policia e Shtetit;
c) organet e tjera të hetimit;
ç) çdo subjekt tjetër i përcaktuar shprehimisht me ligj apo me vendim të Këshillit të Ministrave;
d) çdo person i interesuar, të cilit i njihet ligjërisht kjo e drejtë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

13. Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore, të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe pa shtetësi, të dënuar jashtë vendit, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar është, si më poshtë vijon:

a) Veprimet në regjistër kryhen nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në regjistër;
b) Subjektet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 12, të këtij vendimi, kanë të drejtë të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar në leximin e të dhënave, kur është e nevojshme për të hetuar një vepër penale;
c) Subjektet e interesuara, të përcaktuara në shkronjat “ҫ” dhe “d”, të pikës 11, të këtij vendimi, kanë të drejtë leximi të të dhënave të regjistrit elektronik.

14. Subjektet që kanë akses në regjistër ruajnë konfidencialitetin e të dhënave, që aksesojnë nëpërmjet regjistrit.

15. Në rastin kur vendimet e dhëna nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi janë njohur nga autoritetet shqiptare, vendimet e dhëna nga autoritetet e huaja nuk regjistrohen në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

16. Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit miratohet nga ministri i Drejtësisë, në përputhje me standardet, rregullat dhe procedurat e përcaktuara, sipas nenit 10, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.

17. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Top Channel