“Stop gjenocidit të bujqësisë”, kultivuesit e grurit bllokojnë rrugët në Bullgari

29/03/2023 18:38

Bullgaria, së bashku me Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Rumaninë bëjnë thirrje për zgjidhje urgjente të çështjes së importeve të produkteve bujqësore ukrainase në BE.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev iu përgjigj pyetjes së një gazetari në lidhje me protestat e vazhdueshme të prodhuesve bullgarë të drithit, të cilët ankohen se drithi ukrainas po i ul prodhimin e tyre.

“Ne këmbëngulim që kjo çështje të rregullohet si një çështje emergjente dhe që prodhuesve tanë t’u ofrohet mbështetje adekuate për të kompensuar humbjet që ata pësojnë”, tha presidenti.

Ai tha se këtë çështje e kishte ngritur “seriozisht” para Këshillit Evropian, Presidentit të Komisionit Evropian dhe Presidentit të Këshillit të BE-së.

Kultivuesit e drithërave në Bullgarinë Lindore të mërkurën kanë bllokuar rrugët për në pikat kufitare me Rumaninë dhe portet në Silistra përmes të cilave importohet drithë ukrainas.

Ata po protestojnë kundër importit të liberalizuar të produkteve bujqësore nga Ukraina me çmime të ulëta, situatës së rëndë të bujqësisë bullgare dhe refuzimit të tregtarëve për të blerë drithëra dhe fara vajore bullgare, të gjitha këto dëmtojnë fuqishëm konkurrencën e prodhuesve bujqësorë bullgarë.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej “Stop gjenocidit të bujqësisë”, “Ne duam të jemi fermerë konkurrues” dhe “Toka bullgare ushqen popullin bullgar”.

Kryetari i Sindikatës Rajonale të Fermerëve të Drithërave Danub, Milen Koev tha se rreth 50% e grurit, misrit dhe farave të lulediellit në rajonin e Ruse janë të vendosura në magazina, ndërsa në vitet e mëparshme pothuajse gjithçka ishte shitur në këtë kohë.

Protesta do të vazhdojë edhe në dy ditët në vijim, tha ai.

Kryetari i Unionit Thrakas të Prodhuesve të Drithërave, Radoslav Hristov u shpreh se rreth 40% e të korrave të vitit të kaluar në Bullgari është duke u deponuar dhe pyeti se ku do të shkojë prodhimi i ri kur të fillojë korrja pas tre muajsh.

“Ne jemi këtu sepse Brukseli nuk do ta dëgjojë zërin tonë”, tha ai.

Nënkryetari i Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Drithërave, Ilija Prodanov u shpreh se prodhuesit bullgarë duhet të mbrohen dhe produktet e tyre të tregtohen me çmime të drejta.

“Çdo vit ne prodhojmë rreth 2 milionë ton luledielli, nga të cilat 5% deri në 10% janë shitur deri më tani këtë vit. Rreth 4 milionë ton grurë janë të vendosura në magazina”, tha ai, duke shtuar se çmimi i blerjes është 40% nën kosto. Humbjet vetëm nga luledielli janë rreth 800 milionë BGN.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA