Inside Story/ Raportet zbulojnë mospërmbushjen e detyrimeve, a do t’i anulohet koncesioni kompanisë private?

29/03/2023 21:42

Referuar kontratës konçesionare të vitit 2013, kompania EMS ka detyrim të investojë gjatë periudhës 35 vjeçare rreth 2 miliardë lekë ose 17.5 miliona euro. Këto zëra janë ndarë sipas viteve.

Mosrealizimi i investimeve pranohet edhe nga zyrtarët e Autoritetit Portual.

“Nga koncensionari “EMS”, nuk janë kryer investimet e programuara. Konçensionaret nuk penalizohen kur nuk arrihet performanca e parashikuar si në propozimin ekonomik, propozim teknik, protokoll dorëzimi dhe në mospërmbushje të kontratave konçensionare mosrespektim të saj kundrejt përdoruesve të terminaleve”, zbulohet në një raport të KLSH.

“Në vlerësimin e ekipeve që kanë monitoruar kontratat koncesionare në vite ka mospërputhje mes atyre që ofron operatoroi dhe faktet në terren. Janë kontrata të vjetra, komplekse që fatkeqësisht nuk kanë parashikuar penalitetet në rast mos përmbushje investimesh”, thotë drejtori i Financës pranë APD Ilir Hoxha.

Mosrealizimi i investimeve del zbuluar edhe përmes dy dokumenteve të siguruara nga Inside Story ku Autoriteti Portual kërkon informacion nga koncesionari për përmbushjen e detyrimeve.

Përmes shkresës që mban datën 15 janar 2019, Autoriteti Portual i kërkon koncesionarit të implementojë sistemin kompjuterik që shkërmben informacion në kohë reale për përpunimin e mallrave. Në një tjetër shkresë që mban datën 20 Qershor 2020, kërkohet informacion mbi investimet e parashikuara në kontratë.

“Autoriteti Portual Durrës në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, me anë të shkresës nr.1500 datë 20 Maj 2020 me lëndë ‘kërkesë për vënien në dispozicion të dokumentacionit justifikues mbi investimet’ ka këkruar vënien në dispozicion nga ana juaj si koncesionar të dokumenteve justifikues për zërat, investime në infrastrukturë, investimet në makineri e pajisje”, citohet në një document të APD.

Pak më poshtë, theksohet se kërkesa është e përsëritur dhe konçesionari refuzon të japë informacion.

Shteti është i pafuqishëm për të vepruar. Subjektet private, në këtë rast koncesionari EMS, vepron në shkelje të interesave të taksapaguesve shqiptarë duke u mbrojtur nga një kontratë e disfavorshme për shtetin shqiptar.

Madje, së fundi kompania ka kërcënuar përmes një letre shpërndarë deputetëve të Kuvendit se mund të çojë shtetin shqiptar në arbitrazh. Por, në këtë investigim, ne renditëm disa shkelje të kontratës që mund të përbëjnë prova të mjaftueshme për goditjen e paligjshmërive.

Që nga ndotja masive e vërtetuar, te mosdeklarimi i volumeve dhe mospërmbushja e investimeve. Në kontratën konçesionare, në pikën F të nenit 15, qartësisht përcaktohet se shkeljet e ndryshme përbëjnë mospërmbushje kontrate çka mund të jetë shkak për anulimin e konçesionit.

“Çdo shkelje e kësaj Kontrate, që për nga natyra dhe pasojat e saj është thelbësore, pavarësisht nëse është përcaktuar ose jo shprehimisht si e tillë në këtë Kontratë”, citohet kontrata konçesionare.

Pra, shkeljet e renditura më sipër vërtetojnë mospërmbushjen e kontratës nga subjekti privat. I takon autoriteteve shtetërore të veprojnë për ti dhënë fund abuzimeve që cënojnë hapur interesin publik!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA