Beteja në Bakhmut dëmton rëndë forcat “Wagner”! Kreu i ushtrisë paramilitare pranon humbjet, letër ministrit të Jashtëm rus

29/03/2023 18:45

Kreu i grupit mercenar rus Wagner ka pranuar hapur se luftimet për qytetin ukrainas të Bakhmutit kishin shkaktuar dëme të rënda në forcat e tij, si dhe palën ukrainase. Qyteti i vogël lindor që ka qenë prej muajsh objektiv i një ofensive ruse, ka parë luftime dhe shkatërrime intensive në atë që është bërë beteja më e gjatë dhe më e përgjakshme e luftës.

“Beteja për Bakhmut  tashmë ka shkatërruar praktikisht ushtrinë ukrainase, dhe për fat të keq, ajo gjithashtu ka dëmtuar rëndë kompaninë ushtarake private Wagner”, citohet të ketë thënë shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Zyrtarët rusë thonë se forcat e tyre janë ende duke marrë terren në luftimet e kryera rrugë më rrugë brenda Bakhmutit, por deri më tani nuk kanë arritur ta rrethojnë atë dhe të detyrojnë ukrainasit të tërhiqen.

Sakaq, Inteligjenca ushtarake britanike tha të mërkurën se ukrainasit kishin larguar me sukses rusët nga një prej rrugëve kryesore të furnizimit të qytetit.

Disa ditë më parë, Prigozhin i kishte thënë ministrit rus të Mbrojtjes, përmes një letre se ushtria ukrainase po planifikonte një ofensivë të afërt që synonte të “shkëpuste forcat e tij Wagner nga trupi kryesor i trupave ruse në Ukrainën lindore”.

Në letrën e publikuar nga shërbimi i tij për shtyp, Prigozhin tha se “sulmi në shkallë të gjerë” ishte planifikuar për në fund të marsit ose fillimin e prillit.

“Unë kërkoj nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar shkëputjen e kompanisë ushtarake private Wagner nga forcat kryesore të ushtrisë ruse, gjë që do të çojë në pasoja negative për operacionin ushtarak special”, citohej të ketë thënë ai, me terma që përdor Moska për luftën e saj në Ukrainë.

Kjo thuhet të jetë hera e parë që Prigozhin publikonte një korrespondencë të tillë me Ministrin e Mbrojtjes, të cilin e ka kritikuar shpesh për zhvillimin e luftës. Lëvizja e pazakontë dukej se kishte edhe qëllimin që të fajësohej Shoigun, e jo Prigozhin, nëse manovra e supozuar ukrainase rezulton e suksesshme.

Top Channel