Në një intervistë televizive të publikuar më 26 mars, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se deri në korrik Moska mund t’i zhvendosë armët bërthamore taktike në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë.
Ai tha se e gjithë infrastruktura e nevojshme për një dislokim të tillë do jetë gati deri më 1 korrik. Bjellorusia kufizohet me Ukrainën, Rusinë dhe anëtarët e NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
Muajin e ardhshëm, tha Putin, Rusia do të fillojë trajnimin e personelit ushtarak bjellorus për përdorimin e armëve bërthamore taktike. Përveç kësaj, ai tha se një objekt magazinimi për to do të përfundojë në fillim të korrikut.
Putin pohoi se masa pasqyron praktikën e gjatë të SHBA-së për vendosjen e armëve bërthamore taktike në territorin e aleatëve të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Belgjikën, Italinë dhe Turqinë.
Radio Evropa e Lirë pyeti disa analistë ushtarakë dhe politikë për këtë vendim, çka e motivoi atë dhe çka nënkupton ai për Rusinë, Bjellorusinë, Ukrainën dhe NATO-n.
“Bazë e përhershme ushtarake ruse në Bjellorusi”
Pavel Luzin, një ekspert i mbrojtjes dhe politikës së jashtme, i tha Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë se “zhvendosja e armëve bërthamore në Bjellorusi është shantazh që synon jo vetëm NATO-n, por edhe Ukrainën”.
“Ata duan që evropianët të kenë frikë në mënyrë që të reduktojnë ndihmën për Ukrainën. Dhe, është një paralajmërim për Ukrainën: nëse përpiqeni të shkatërroni avionët tanë në Bjellorusi, mos harroni se ne kemi opsionin bërthamor”.
“Rusia tani po përpiqet të imitojë politikën amerikane për armët bërthamore”, tha ai.
“[Udhëheqësi bjellorus Alyaksandr] Lukashenka dëshiron armë bërthamore ruse në Bjellorusi…sepse ai mendon se nëse Rusia i vendos ato, Moska do të varet prej tij, sikurse që ai varet nga Moska tani. Por. ai nuk e kupton se nëse hapet një objekt i ruajtjes së armëve bërthamore në Bjellorusi, trupat do të vendosen gjithashtu atje. Që nga fundi i vitit 2021, trupat ruse kanë qenë në Bjellorusi në baza të përkohshme. Kur të shfaqet një strukturë magazinimi, ato do të jenë atje përgjithmonë. Amerikanët ua delegojnë përgjegjësitë aleatëve të tyre në Evropë, por kultura politike dhe ushtarake ruse nuk parashikon një shkallë të tillë besimi te aleatët. Pasoja e një magazinimi të armëve bërthamore mund të jetë krijimi i disa bazave të përhershme ushtarake ruse në territorin bjellorus”.
“Ide kryesisht politike”
Pavel Podvig, një ekspert i vjetër për arsenalin bërthamor të Rusisë dhe një studiues i lartë në Institutin e OKB-së për Hulumtimin e Çarmatimit në Gjenevë, thotë se nuk beson që kjo do të përfundojnë objektet e magazinimit të këtyre armëve deri më 1 korrik.
“Një objekt për ruajtjen e armëve bërthamore është një detyrë mjaft serioze inxhinierike. Duhet të ndërtoni një bunker të fortifikuar, një perimetër sigurie, të vendosni roje. Vetëm instalimi i sistemeve të mbikqyrjes dhe alarmit zgjatë nga tre deri në gjashtë muaj, dhe të gjitha këto do të shiheshin sikur të kishte filluar ndërtimi”.
“Për mendimin tim, e gjithë ideja është kryesisht politike – për të demonstruar forcimin e bashkimit politik midis Bjellorusisë dhe Rusisë. Ky është thjesht një hap politik. Nuk ka asnjë përputhshmëri ushtarake në këtë veprim. Meqë ra fjala, e njëjta praktikë ekziston në NATO. Është kryesisht një veprim politik, i krijuar për të demonstruar unitetin”.
“Edhe pse ky është një veprim thjesht politik, Perëndimi është në një pozitë të vështirë. Ata nuk mund të thonë se është i paligjshëm, sepse ata vetë kanë vendosur armët e tyre bërthamore në vende të tjera për shumë vite.
“Unë dyshoj shumë se armët bërthamore do të vendosen me të vërtetë në Bjellorusi. Vlera e kësaj ‘ngjarje’ është ekskluzivisht politike, jo ushtarake. Dhe për qëllime politike, as që është e nevojshme të ndërtohet objekti i magazinimit”, tha ai.
“Kremlini, në panik”
Arkady Moshes, një historian dhe drejtor programi me Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i specializuar në politikat e jashtme të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës, i tha REL-it se “nuk ka kuptim të shtyhen armët bërthamore më afër kufijve të NATO-s, sepse Rusia ka rajonin e Kaliningradit dhe këto armë mund të vendosen atje pa futur në lojë një komb tjetër”.
“Unë nuk shoh ndonjë rëndësi të veçantë ushtarake në këtë vendim. Por, fakti që ai u bë tregon se Kremlini është nervoz, nëse jo në panik”.
“Përfitmi i Lukashenkës”
Analisti politik bjellorus Artsyom Shraybman i tha Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë se “Lukashenka di mirë të përfitojë nga shërbimet e ndryshme që kryen për Rusinë”.
“Ai po demonstron besnikërinë e tij dhe po e kthen atë në para. Unë nuk shoh ndonjë përfitim tjetër në këtë për Lukashenkën. Është një hap jopopullor në sytë e publiku bjellorus. Në verën e vitit 2022, sipas sondazheve, 80 për qind e bjellorusëve kundërshtuan vendosjen e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi. Pra, sa i përket politikës së brendshme, ky është një problem për të”.
“Ky vendim duket si një vazhdim i shantazhit të Putinit, duke u përpjekur të detyrojë vendet perëndimore dhe të NATO-s të bëjnë kompromise për Ukrainën. Ata po përpiqen të demonstrojnë se Rusia ende mund të rrisë aksionet në mënyra që do të ishin të rrezikshme për Perëndimin. Është një ultimatum për Perëndimin”.
“Sa i përket procesit të integrimit [ndërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë], kjo do të ndikojë në bashkëpunimin ushtarak, pasi të paktën dy divizione të reja ruse do të shfaqen në Bjellorusi për të ruajtur objektet e reja. Dhe mund të ketë më shumë integrim ekonomik, pasi Bjellorusisë me shumë mundësi do t’i jepen përfitime dhe kredi shtesë”.
“Tashmë atje”?
Analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky, i tha Current Time, një rrjet në gjuhën ruse i drejtuar nga REL-i në bashkëpunim me Zërin e Amerikës se ky është një reagim ndaj urdhërarrestit për Putinin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe përgatitjeve për intensifikimin e luftimeve në Ukrainë këtë pranverë.
“Por, qëllimi i fundit është përpjekja për të minimizuar furnizimin e Ukrainës me armë nga vendet e NATO-s, është vazhdimësi e strategjisë së mëparshme të frikësimit bërthamor”.
“Sa i përket vendosjes së armëve bërthamore në Bjellorusi, është e pamundur të thuhet me siguri se ato nuk janë tashmë atje, veçanërisht pasi sistemet Iskander u dorëzuan në Bjellorusi edhe para pushtimit masiv të Ukrainës [në shkurt 2022]. Ndoshta ata janë vendosur tashmë me Iskanderët dhe ne po marrim një njoftim post-factum. Mos harroni precedentin historik të krizës kubane të raketave – njoftimi erdhi pasi zhvendosja ishte duke u zhvilluar”.
Gjatë asaj që njihet si “kriza kubane e raketave”, e tetorit të vitit 1962, SHBA-ja dhe Rusia i kanë pasur të kthyera kokat bërthamore kundër njëra-tjetrës. Kriza ka nisur kur SHBA-ja ka zbuluar raketa bërthamore sovjetike në Kubë. Ajo ka bllokuar më pas ishullin dhe ka debatuar për pushtimin e tij. Për 13 ditë, bota ka parë rrezikun nga kataklizmi bërthamor. Presidentët e dy vendeve, John F. Kennedy i SHBA-së dhe Nikita Khrushchev i Rusisë, janë angazhuar ndërkohë në bisedime direkte, kanë bërë disa koncesione dhe i kanë dhënë fund krizës. /REL
Top Channel