Gjermania nis tanket drejt Ukrainës, Kremlini: “Deklaratë për luftë”!

28/03/2023 12:49

Vendimi i Gjermanisë për t`i dorëzuar Ukrainës 18 tanke moderne luftarake Leopard 2A6, nga Kremlini zyrtar shihet praktikisht si një lloj deklarate për luftë, edhe pse nuk e cilëson hapur si të tillë.

“Berlini po zhvillon një rol aktiv me furnizimin e Ukrainës me armë, e kjo praktikisht e rrit përfshirjen e drejtpërdrejtë të Gjermanisë në konflikt në mënyrë direkte e indirekte”, tha zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dimitri Peskov.

Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj lajmi se forcat e armatosura ukrainase i kanë marrë tashmë tanket Leopard, e këtë e konfirmoi vetë kancelari Olaf Scholz gjatë një konference për shtyp me kryeministrin holandez, Mark Rutte, në Roterdam. “I dorëzuam, ashtu siç ishte paralajmëruar”, tha Scholz.

Deri në atë moment, institucionet qeveritare gjermane e kishin mbajtur krejtësisht të fshehtë transportin e armëve, duke përmendur arsyet e sigurisë. Pas një beteje të gjatë të brendshme politike, ekzekutivi gjerman pranoi në 25 janar të niste drejt Ukrainës tanket Leopard 2 dhe të lejonte edhe vendet e tjera evropiane të dërgojnë tanket e këtij lloji që disponojnë.

Lëvizja e Berlinit zyrtar erdhi pas disa javësh debate intensiv dhe presioni në rritje nga aleatët. Polonia u bë në fillim të marsit shteti I parë që dërgoi tanke Leopard 2 në Ukrainë.

 

Top Channel