Foreign Policy: Si u shënjestra Shqipëria nga hakerat- Iranin e ndihmoi Rusia?!

28/03/2023 14:31

Kur rruga ku ndodhej Ambasada Ruse në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, u riemërtua si “Ukraina e Lirë”, rusët vendosën të lëviznin.

Ata çmontuan në mënyrë metodike kamerat jashtë godinës, hoqën antenat e komunikimit dhe ulën flamurin. Iranianët, nuk e patën luksin e kohës për të tilla veprime. Pasi Republika Islamike u konsiderua përgjegjëse për sulmet kibernetike ndaj qeverisë shqiptare, në një fjalim televiziv në 7 shtator 2022, kryeministri Edi Rama u dha diplomatëve të Teheranit vetëm 24 orë për t’u larguar nga vendi.

Ishte një ndërprerje e paprecedentë e marrëdhënieve diplomatike për sulme të supozuara kibernetike, shkruan Foreign Policy, duke nënvizuar bindjen e hetuesve se Shqipëria ishte vendosur në shënjestër si shenjë hakmarrjeje ndaj strehimit të mijëra anëtarëve të grupit opozitar në mërgim, Mujahedin-e-Khalq (MEK).

Pajisjet e survejimit ende të paprekura të lëna pranë portës së ambasadës iraniane mbeten një kujtesë e faktit se sytë armiqësore janë ende mbi Shqipërinë, thuhet në shkrim, teksa aktorë të jashtëm dashakëqij mund të duan të dëmtojnë një nga anëtarët më të cenueshëm të aleancës ushtarake të NATO-s.

“Lufta e pistë kibernetike ende vazhdon”, i tha Rama Foreign Policy në muajin janar. Revista e njohur amerikane i rikthehet tani analizimit të asaj situate. Përmasat, qëllimi dhe natyra e sofistikuar e mjaft agresive e sulmeve në Shqipëri, plus operacionet ransomware nga grupe hakerash që vepronin brenda territorit rus nënkuptojnë sipas saj se Irani, nuk ka vepruar i vetëm.

Duke cituar ekspertë të brendshëm, ajo thotë se me gjasë ka pasur një bashkëpunim mes Rusisë dhe Iranit, sepse gama e sulmeve ishte shumë e gjerë. Shkrimi kujton sesi thuajse në të njëjtën periudhë që u godit Shqipëria, pati sulme edhe në Malin e Zi, Bullgari, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, dhe të gjitha ato u ndërmorën nga grupe rusisht-folëse.

Top Channel