Në festën tradicionale të pranverës, Durrësi ka nderuar me titullin “Ambasadorë të qytetit” tre artistë virtuozë që e përfaqësojnë denjësisht atë në skenat më prestigjoze të botës.

Pandush Gjezi, Gëzim Myshketa dhe Olen Çesari janë tre muzikantë të njohur durrsakë me një karrierë të shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit. Salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” u mbush plot, mbrëmjen e së hënës, me bashkëqytetarë të tyre që ndoqën aktivitetin e organizuar nga shoqata “Durrësi autokton” dhe bashkia.

Me një karrierë të suksesshme ndërkombëtare operistike, baritoni Gëzim Myshketa që nuk mundi të jetë i pranishëm për shkak të angazhimeve artistike në Itali dhe Francë, përshëndeti të pranishmit me një mesazh në distancë.

“Jam gjithnjë durrsaku juaj që përpiqem t’ju përfaqësoj me dinjitet në çdo skenë të botës…”– tha Gëzim Myshketa, bariton.

I emocionuar për vlerësimin u shpreh dhe violinisti Pandush Gjezi, që me sukses ka luajtur në shumë skena të botës. Sot, hapat e tij dhe të vëllait i ndjek nipi, Kristi Gjezi, violinist i çmimeve të shumta ndërkombëtare.

Emocionues ishte dhe kthimi në skenën e teatrit të Durrësit i violinistit Olen Ccesari, i cili tërhoqi vëmendjen ndaj institucionit të Presidentit për indiferencën e treguar ndaj artistëve shqiptarë që me sukses përfaqësojnë vendin në botë.

Të tre artistët e nderuar me titullin “Ambasadorë të qytetit të Durrësit” u duartrokitën nga publiku që ndoqi me interes dhe dokumentarët e realizuar për secilin prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA