“U qëllua barbarisht nga disa burracakë”/ Klodiana Lala: Furgoni që po shpërndante punonjësit është shkëmbyer me makinën e autorëve

27/03/2023 21:30

Gazetarja Klodiana Lala tregoi disa detaje të reja nga sulmi terrorist që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Top Channel, aty ku mbeti i vrarë roja e sigurisë Pal Kola.

Lala u shpreh se e konsideron një akt terrorist për mënyrën se si është kryer, ndërsa autorët i quan burracakë.

Ajo zbuloi se në pamjet e sigurisë është parë se si makina që shpërndante punonjësit e Top Channel është shkëmbyer me makinën e autorëve. Sipas gazetares kjo ngjarje është një dështim për strukturat e shtetit.

“Unë e kam parë si një akt terrorist pasi ankthi që ka shkaktuar tek gazetarët dhe mesazhi që ka dhënë ka qenë një akt kriminal. E kam cilësuar akti terrorist për mënyrën se si është kryer. Në pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se ishte furgoni i fundit që po shpërndante punonjësit dhe janë shkëmbyer me makinën e autorëve. Janë 25 plumba, dhe njëri prej tyre ka goditur Pal Kolën.

U qëllua barbarisht nga disa burracakë, edhe krimi në momente të caktuara ka disa rregulla por tashmë nuk ka më. Sikush ka ardhur dhe ka qëlluar e ka pasur të qartë që brenda mund të kishte njerëz nga më të ndryshëm. Ata kriminelët që kanë marrë një armë dhe kanë goditur e kanë ditur që mund të kishte pasoja më të rënda. Janë dy mjete të fundit që janë larguar nga godina për të shpërndarë punonjësit. Kjo është një dështim nga strukturat e shtetit. Ne kemi rëndë në një letargji dhe e konsideroj një akt terrorist”.

Top Channel