Ekuipazhet e tankeve ukrainase përfundojnë trajnimin në Mbretërinë e Bashkuar

27/03/2023 19:10

Ushtarët po trajnoheshin se si të përdornin tanket Challenger 2 në Mbretërinë e Bashkuar.

Njëkohësisht Britania po dhuron 14 prej tankeve për përdorim në vijën e frontit të luftës. Trajnerët ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar kaluan disa javë duke trajnuar personelin ukrainas se si të përdornin tanket.

Ministria e Mbrojtjes deklaroi se trajnimi përfshinte mënyrën e komandimit, drejtimit dhe punës së bashku si ekuipazh tanku Challenger 2 dhe identifikimin dhe angazhimin efektiv të objektivave, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

“Është vërtet frymëzuese të dëshmosh vendosmërinë e ushtarëve ukrainas që kanë përfunduar stërvitjen e tyre mbi tanket britanike Challenger 2 në tokën britanike. Ata kthehen në atdheun e tyre të pajisur më mirë, por me jo më pak rrezik. Ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë dhe të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa të duhet”, tha sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace.

“Ka qenë një privilegj për ekipin e Qendrës së Manovrimit të Luftimit që t’ua japë këtë trajnim partnerëve tanë ukrainas. Ne të gjithë kemi qenë jashtëzakonisht të impresionuar me nivelin e kompetencës së shfaqur dhe nuk kemi dyshim se miqtë tanë do të përdorin tanket Challenger 2 në mënyrë më efektive në betejat që do të vijnë, ndërsa ata luftojnë për të mbrojtur atdheun e tyre”, shtoi më tej nënkoloneli John Stone, i cili mbikëqyri stërvitjen.

Top Channel