Shkon në 26 numri i viktimave nga tornado, dëme të mëdha në Misisipi dhe Alabama

26/03/2023 10:05

Të paktën 26 persona kanë vdekur në Misisipi dhe Alabama pasi një tornado goditi shtetet në jug të Shteteve të Bashkuara.

Përpjekjet për kërkim-shpëtim po vazhdojnë dhe autoritetet në Misisipi kanë shpallur gjendje emergjente.

Në Rolling Fork, vetura të shkatërruara, tulla shtëpish dhe gjësende të tjera janë parë në rrugë, teksa ky qytet është shkatërruar pothuajse i tëri.

Në qarkun Sharki, shtëpitë janë shkatërruar nga tornadoja.

Tornadoja goditi në mes të natës, në kohën kur banorët po flinin dhe nuk kishin dëgjuar alarmet paralajmëruese. Për shumë banorë, treguesi i parë se diçka nuk ishte në rregull ishte zhurma e madhe.

Guvernatori i shtetit të Misisipit, Tate Reeves, ka vizituar Qytetin Silver dhe Uinona të shtunën dhe është takuar me banorët që u goditën nga tornadoja.

Operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë në Misisipi, përderisa janë parashikuar se stuhi të tjera do të godasin pjesë të Alabamës dhe Xhorxhias.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka ofruar mbështetjen e tij për zonat e prekura nga stuhitë. Ai tha se pamjet që ka parë nga Misisipi janë “zemërthyese” dhe shtoi se Qeveria federale, “do të bëjë gjithçka për të ndihmuar”.

Top Channel