Aventura e katër alpinistëve serbë në zonën e Alpeve shqiptare për pak desh përfundoi në tragjedi. Alpinistët ishin nisur nga Valbona për në Theth, por gjatë kalimit në majën e Jezercës, ku prania e dëborës dhe akullit është ende e madhe, një prej tyre rrëshqitur duke pësuar lëndime serioze.
Është nevojitur ndërhyrja e 50 forcave të Policisë së Tropojës, Njësisë Alpine të Reneas, forcave ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një ekipi mjekësor të Ministrisë së Shëndetësisë, për t’i ardhur në ndihmë turistit që ishte rrëzuar në e kishte të pamundur lëvizjen, për shkak se kishte dëmtuar gjymtyrët.
Për shkak të terrenit shumë të vështirë malor dhe me dëborë, Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes, për të dërguar një helikopter, për ta transportuar turistin drejt spitalit, në Tiranë.
Por si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 10:05, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë 4 turistë serbë kanë kërkuar ndihmë, pasi njëri prej tyre, duke eksploruar zonën e Valbonës, në malin e Jezerces, kishte rënë nga një lartësi dhe kishte dëmtuar këmbën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në ndihmë të turist serb janë nisur shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe një skuadër alpine e Reneas, së bashku me ekipin mjekësor.
Shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit kanë mundur të shkojnë në vendin ku kishte rënë turisti dhe për shkak të terrenit të vështirë malor dhe me dëborë, skuadra alpine e Reneas dhe shërbimet e Policisë kanë kërkuar ndihmën e helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes, për të bërë të mundur transportimin e turistit.
Me ndihmën e helikopterit, pas shumë përpjekjesh, shërbimet e Policisë e kanë futur në helikopter turistin e dëmtuar dhe më pas e kanë zbritur në rrugën e automjeteve, ku dhe helikopteri ka qëndruar për t’i dhënë ndihmë mjekësore turistit serb.
Pas ndihmës mjekësore, turisti serb është transportuar përsëri me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel