Po planifikonin vjedhje me armë, shpallen në kërkim 3 persona në Lushnjë

25/03/2023 10:51

3 persona që po planifikonin një vjedhje me armë në Lushnje, janë shpallur në kërkim. Ata po qarkullonin me një automjet me targa të falsifikuara dhe kishin planifikuar të kryenin vjedhje me armë në një banesë.

Në vendin e quajtur “Rotondo e Çermës”, forcat e policisë ka lokalizuar automjetin e dyshuar tip “Benz”  dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i  automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka shtuar shpejtësinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në rrugë, për të ndaluar këtë automjet.

Pasi policia i është vënë në ndjekje, për shkak të shpejtësisë së madhe, automjeti ka dalë nga rruga dhe tre shtetasit e kanë braktisur automjetin dhe kanë mundur të largohen, duke përfituar nga errësira.

Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak. Pas hetimeve të kryera u arrit identifikimi i tre shtetasve me iniciale R. Ç., 30 vjeç, F. T., 36 vjeç dhe B. M., 66 vjeç, të tre banues në Elbasan dhe u shpallën në kërkim për për veprat penale: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel